OVL-UÇK i përgjigjet BE-së: Amendamentet për Dhomat e Specializuara nuk shkelin detyrimet ndërkombëtare

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj qëndrimeve të partnerëve ndërkombëtarë lidhur me amendamentet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializuara. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, OVL-UÇK i ka cilësuar si “të paqëndrueshme dhe të papranueshme” pretendimet se ndryshimet ligjore do të përbënin shkelje të detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës. Sipas kësaj organizate, asnjë detyrim ndërkombëtar nuk mund të nënkuptojë përjashtimin e institucioneve të Kosovës nga rendi kushtetues, mbikëqyrja demokratike dhe llogaridhënia. OVL-UÇK ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, është zhvilluar mandati dhe praktika e Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se procesi është larguar nga qëllimi fillestar për të cilin ato janë krijuar. “Dhomat u krijuan për të shqyrtuar pretendime të caktuara që burojnë nga raporti i Dick Martyt. Mandati dhe praktika e tyre kanë devijuar nga ai qëllim”, thuhet në reagim. Organizata ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror, barazisë para ligjit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të UÇK-së. Në fund, OVL-UÇK u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që, në vend të kundërshtimit të nismave parlamentare, të përballen me shqetësimet e ngritura nga institucionet dhe shoqëria kosovare lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara.

Kontrolloni gjithashtu

BE dhe investitorët diskutojnë për rritjen e investimeve të huaja në Kosovë

Rritja e investimeve të huaja direkte dhe krijimi i një klime më të favorshme për …