Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka shprehur sërish qëndrimin e saj kritik ndaj gjykatës speciale, duke thënë se nuk ka pasur besim në këtë institucion që nga themelimi i tij. Musliu deklaroi se kishte kundërshtuar themelimin e gjykatës speciale, dhe sipas saj, zhvillimi i procesit gjyqësor gjatë gjashtë viteve nuk e ka ndryshuar këtë qëndrim. “Duke mos i besuar kësaj gjykate edhe në gjenezë, e kam refuzuar edhe atëherë në fillim votimin. Thellë në veten time nuk i kam besuar asnjëherë dhe kam parë themelimin e kësaj gjykate si gjykatë politike”, tha ajo. Musliu tha se procesi tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare dhe shprehu shpresën që vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të jetë në favor të tyre. “Jemi në 100 metrat e fundit të punës së kësaj gjykate. Nuk dua të tingëlloj pesimiste. Uroj me zemër dhe pres e lutem çdo ditë që të paktën fundin kjo gjykatë ta ketë të drejtë dhe liderët e UÇK-së të kthehen triumfues në vendin e tyre”, deklaroi Musliu. Ajo tha se në Kosovë po mbizotëron një përzierje e ankthit dhe optimizmit në pritje të vendimit të 16 shtatorit. Sipas saj, qytetarët shpresojnë që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë më krenarë. Musliu e cilësoi datën e vendimit si një moment me rëndësi të veçantë për vendin, duke thënë se pret që ajo të shënojë, sipas saj, rikthimin e dinjitetit, krenarisë dhe të drejtës së Kosovës për të qenë shtet i lirë, i pavarur dhe sovran.
Creator: Bram Vreugdenhil
|
Credit: Maarten Boer
Copyright: Bram Vreugdenhil
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
