Ramush Haradinaj: Ismet Jashari ishte një nga luftëtarët më të shquar të UÇK-së

Komandanti i ZOD, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar dëshmorin e UÇK-së, Ismet Jashari – Kumanova, në përvjetorin e rënies së tij në luftimet e gushtit të vitit 1998. Haradinaj ka vlerësuar kontributin e Jasharit në luftën për çlirimin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga luftëtarët më të shquar të UÇK-së dhe burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Sipas tij, pjesëmarrja e luftëtarëve nga Kumanova, Tetova dhe trojet e tjera shqiptare në luftën e Kosovës kishte rëndësi të veçantë për moralin e UÇK-së. “Ismet Jashari nga Kumanova ishte njëri ndër luftëtarët më të shquar të UÇK-së. Ai ishte bërë burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë në mbarë Kosovën”, ka shkruar Haradinaj. Ai ka kujtuar gjithashtu dëshmorët e Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut, e cila mbajti emrin e komandant Kumanovës. Haradinaj ka përmendur në veçanti dëshmorët Habib Zogaj, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Afrim Buçaj dhe Zenun Mataj, duke nderuar sakrificën e tyre në ofensivat e gushtit dhe në mbrojtje të popullatës së zhvendosur. “Të paharruar në kujtimin e brezave”, ka përfunduar Haradinaj.

Kontrolloni gjithashtu

Sindikata e Re e KEK-ut proteston pas vdekjes së punëtorit: Kërkohet rritja e sigurisë në punë

Sindikata e Re e KEK-ut ka zhvilluar një aksion simbolik para drejtorisë së Korporatës Energjetike …