Fjalimi im, në akademinë përkujtimore me rastin e një vjetorit të vdekjes së Ilmi Ramadanit
NJË JETË NË SHËRBIM TË LIRISË
E nderuara motër Nazmie,
i nderuari vëlla Arbëresh,
të nderuar familjarë të Ilmiut,
Të nderuar shokë të armës dhe të idealit,
Të nderuar të pranishëm,
Ka një vit që një zë i heshtur na mungon.
Them “i heshtur”, sepse Ilmi Ramadani nuk ishte njeri i fjalëve të mëdha; ai ishte njeri i punës së madhe.
Sot nuk kemi ardhur këtu për ta shpallur edhe një herë një vdekje, por për ta rrëfyer edhe një herë një jetë.
Sepse ka njerëz, të nderuar, që mungesën e tyre nuk e mat koha, por e mat pesha e asaj që lanë pas.
Unë kam pasur privilegjin ta njoh dhe të punoj me të. Prandaj po flas jo si historian i një epoke, por si dëshmitar i saj.
E takova për herë të parë në tetor të vitit 1991, në Gjakovë.
Kishim shkuar disa shokë të ilegales në një ditë që doli të ishte ndër më të rrezikshmet e atij viti: Pushtuesi kishte nisur një aksion të gjerë arrestimesh.
Ilmiu na priti, na tërhoqi në një cep dhe, me atë qetësinë e njeriut që rrezikun e kishte mësuar përmendsh, na tha vetëm: “Keni ardhur në ditën më të papërshtatshme. Largohuni.”
Por, para se të largoheshim, na i ngarkoi disa detyra: të gjenim nënën Habibe Duraku, të lajmëronim Remzi Ademajn, Bashkim Mazrekun e Besim Baraliun.
Kështu e njoha unë Ilmi Ramadanin: në minutën kur ai vetë ishte në rrezik, mendonte si t’i shpëtonte të tjerët.
Kjo nuk ishte thjesht një skenë e asaj dite; ky ishte kodi i një jete të tërë.
Ai i takonte brezit që sot e quajmë me nderim brezi themeltar, bashkëkohës dhe bashkëveprimtar i Adem Demaçit, i Kadri Zekës, i Rexhep Malës e i Nuhi Berishës.
Tre herë i burgosur politik. Tre herë doli nga burgu jo i thyer, por i bindur.
Këtu qëndron një e vërtetë që brezat e ardhshëm duhet ta mësojnë mirë: liria e Kosovës kishte rrugëtuar gjatë.
Ajo nisi nëpër kazamate, nëpër odat e fshehta, nëpër ato dhoma ku disa njerëz pa armë vendosën se skllavëria nuk ishte fat i pashmangshëm.
Kur erdhi lufta, Ilmiu nuk pati nevojë të përgatitej; ai ishte i përgatitur prej tridhjetë vjetësh.
Banesa e tij në Ulpianë, bashkë me dr. Teutën, u shndërrua në spitalin e parë të fshehtë të UÇK-së, shumë kohë përpara se ne të kishim një sistem shëndetësor.
Në një kohë kur në Prishtinë ende dyshohej nëse lufta ishte e vërtetë apo trillim, ai i merrte intelektualët, profesorët dhe ish-të burgosurit politikë dhe i çonte me makinën e vet deri në bazat tona në Drenicë, që ta shihnin me sytë e tyre atë që po ndodhte.
Ai solli Ramë Bujën. Solli Berat Luzhën. Solli nga Gjilani Avdulla Tahirin, Heroin e Kosovës, Ahmet Isufin, e të tjerë qe me vone u bene shtylle e forte e UÇK-së.
Ilmi Ramadani u bë, siç e kam quajtur gjithmonë, rekrutuesi i heshtur i UÇK-së.
Në fund të vitit 1998, kur formuam Drejtorinë e Shërbimit Informativ Ushtarak, njëri nga emrat e parë që u shqiptua, ishte i tij.
Sepse informacioni në luftë është armë, dhe ne kishim nevojë për një njeri që dinte të dëgjonte, të verifikonte dhe të heshtte.
Kështu erdhi zyra jonë e vogël në Divjakë, kështu erdhi puna me pajisjet e radios në Berishë. Kështu erdhi roli i tij si urë ndërmjet Shtabit të Përgjithshëm dhe partive politike në Prishtinë, në ditët kur u formua Delegacioni i Rambujesë.
E pastaj, kur për ne lufta mbaroi, për të nuk mbaroi: shkoi atje ku vuajtja u zhvendos, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, dhe më pas në Maqedoni.
Ky është njeriu që po përkujtojmë: një njeri që nuk iu frikësua as burgut, as ilegalitetit, as luftës dhe, çka është më e vështira, as paqes.
Sepse, të nderuar, paqja i ka provat e veta.
Shumë e mbajtën qëndrimin nën plumba dhe e humbën nën privilegje. Ilmiu jo.
Në shtetndërtim ai qëndroi aty ku kishte qëndruar gjithmonë: në prapavijë, pa gradë, pa zë, pa kërkuar asgjë.
E ndihmoi ndërtimin e Shërbimit Informativ të Kosovës.
E ideoi dhe e koordinoi krijimin e universitetit publik në Gjilan, sepse e kuptonte se një komb nuk mbrohet vetëm me armë, por edhe me dije.
Dhe qëndroi pranë shokëve të tij.
Këtu më lejoni një fjalë që duhet thënë.
Ne sot e përkujtojmë Ilmi Ramadanin në një kohë kur historia jonë po rilexohet nga të tjerët dhe po gjykohet larg nesh; në një kohë kur bashkëluftëtarët tanë, Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi etj, presin në Hagë një vendim që do të shqiptohet mbi një jetë të tërë sakrifice, edhe të Ilmiut.
Prandaj dëshmitë si kjo e sotmja nuk janë vetëm akt përkujtimi; ato janë akt i mbrojtjes së së vërtetës historike.
Sepse e vërteta e UÇK-së nuk gjendet vetëm në dosje.
Ajo gjendet edhe në një banesë të Ulpianës të kthyer në spital, në një mjeke që rrezikoi çdo natë, në një njeri që e vinte jetën në rrezik në çdo udhëtim, vetëm e vetëm për t’i sjellë të tjerët drejt lirisë, te nje njeri qe gershtonte dhimbjen, gezimin dhe perkushtimin jetesor siq ishte motra Nazmie.
Kush e njeh këtë të vërtetë ka detyrë ta thotë.
Heshtja jonë do të ishte padrejtësia e vetme që nuk na e imponon askush.
Dhe pikërisht, sot, kur flas para jush, nuk flas vetëm në emrin tim.
Në emër të shokëve të armës dhe të idealit, por edhe te atyre që sot ndodhen në pritje të vendimit final në Hagë dhe që, po të ishin të lirë, do te ishin te paret këtu.
Ne i përulemi kujtimit të Ilmi Ramadanit.
E falënderojmë familjen e tij, që e ndau me ne për një jetë të tërë dhe që e pagoi bashkë me të çmimin e asaj ndarjeje.
E falënderojmë atë për besnikërinë ndaj idealit, për guximin pa zhurmë dhe për diçka që sot është bërë e rrallë:
Për faktin se asnjëherë, në asnjë rrethanë, nuk e ktheu fjalën pas.
Ilmi Ramadani nuk kërkoi kurrë të kujtohej. Pikërisht kujtimi i tij sot është detyrë e jona.
Ai nuk la pas pasuri. Nuk la tituj. Nuk la fjalime.
La pas njerëz të lirë. La pas një shtet.
Dhe la pas një masë të thjeshtë, me të cilën mund të matet secili prej nesh: sa herë e ke vënë veten pas idealit.
Lavdi Ilmi Ramadanit! I qoftë i përjetshëm kujtimi!
Ju faleminderit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
