Fitim Selimi

Fitim Selimi: KUR FËMIJËT E MËRGIMIT E THËRRASIN KOSOVËN ATDHE…

Nga shumë fjalë që dëgjojmë çdo ditë, ndonjëherë mjaftojnë vetëm dy fjali fëmijësh për të na e trazuar shpirtin.
Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, më mbetën thellë në mendje dy rrëfime.
Vlera, vajza e vëllaut Arsimit, paska thënë:
“Kam me u kthy sa më parë! Edhe nëse s’kam me çka me jetu, kam me dalë me shitë shtalba të misrit!”
Ndërsa një djalë i Arianit, djalit të axhes tim, Emnori, që jetojnë në Londër, kur erdhi koha të kthehej, paska thënë:
“Unë s’dua me ardhë më në Angli!”
E kur e kanë pyetur:
“Po me kë ke me nejt këtu?”
ai është përgjigjur me atë pafajësinë që vetëm fëmijët dinë ta kenë:
“Rri te xhaxhi Kujtë!”
Sa pak fjalë… e sa shumë mall brenda tyre!
Më prekën thellë këto dy përgjigje.
Sepse pas tyre fshihet shpirti i fëmijëve tanë të mërgimit — fëmijëve që mund të kenë lindur larg Kosovës, që mund të rriten në qytete të mëdha e në vende me shumë mundësi, por që diku thellë brenda vetes e ndiejnë thirrjen e rrënjëve.
Këtu e kanë gjyshin e gjyshen.
Këtu e kanë xhaxhain, dajën, hallën e tezen.
Këtu i kanë kushërinjtë, oborrin, sofrën, zhurmën e familjes dhe atë afërsi njerëzore që nuk blihet me asnjë mirëqenie.
Dhe kur vjen dita e largimit, ndoshta pikërisht atëherë zemra e tyre e vogël e kupton se Kosova nuk ishte vetëm vendi ku erdhën për pushime. Ishte vendi ku u ndien në shtëpi.
Sa e dhimbshme duhet të jetë për një fëmijë të hipë në aeroplan e të largohet nga njerëzit që sapo i ka përqafuar, nga oborri ku ka luajtur, nga kushërinjtë me të cilët është lidhur, duke e ditur se nesër gjithçka do të mbetet përsëri qindra e mijëra kilometra larg!
Mërgimi ua dha shumë familjeve tona bukën, sigurinë dhe një jetë më të mirë.
Por mërgimi ka edhe një çmim që nuk shkruhet askund: ndarjen.
E atë çmim, shpesh në heshtje, e paguajnë edhe fëmijët.
Prandaj fjalia “rri te xhaxhi Kujtë” nuk është vetëm përgjigje fëmije.
Është besim.
Është përkatësi.
Është rrënjë.
Është një zemër e vogël që po na thotë:
“Mos më ndani prej këtij vendi. Edhe unë jam i këtushëm!”
Ndërsa Vlera, me gatishmërinë për të shitur edhe shtalba misri vetëm që të kthehet, na kujton një të vërtetë të madhe:
Njeriu mund ta ndërtojë jetën kudo, por jo kudo e gjen vendin ku i pushon shpirti.
Kosovën duhet ta bëjmë të tillë që këta fëmijë, kur të rriten, të mos e kenë kthimin vetëm ëndërr e mall.
Ta bëjmë vend ku ata të mund të kthehen.
Të jetojnë.
Të punojnë.
Të krijojnë familjet e tyre.
Dhe një ditë t’u thonë fëmijëve të vet:
“Këtu është shtëpia jonë!”
Sepse një popull që i mban fëmijët e vet të lidhur me atdheun, edhe kur ata rriten mijëra kilometra larg, nuk i ka humbur kurrë rrënjët e veta.

Kontrolloni gjithashtu

KUR LIBRI BËHET URË MES ZEMRAVE – NJË DONACION FISNIK NGA ZNJ. HUMANISTJA BEHIDE HASANAJ

Në një kohë kur libri gjithnjë e më shumë po zëvendësohet nga një klikim i …