Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të Kosovës, duke lënë të paqartë nëse AAK-ja do ta mbështesë atë në Kuvend. I pyetur nëse do ta përkrahë Sejdiun, Berisha ka përdorur një deklaratë të rëndë, duke thënë se kandidati duhet të jetë “fort i poshtër”, meqë për të janë pajtuar Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. “Nuk e di çka me të thënë. Jemi në situatë të rëndë për me dalë e me e zgjidh këtë nyje, por ne nuk kemi lidhje me të. As nuk na ka pyetur kush, as nuk na ka thënë. Unë nuk e njoh këtë njeri. Veç e di që duhet me qenë fort i poshtër, pasi që janë pajtuar për të”, ka deklaruar Berisha në një prononcim për VOX Kosova. Berisha nuk ka dhënë një përgjigje të qartë as për qëndrimin që do të mbajë AAK-ja gjatë seancës ku pritet të votohet presidenti i ri, duke lënë të hapur edhe çështjen nëse deputetët e kësaj partie do të qëndrojnë në sallë. “As që më ka interesuar me këqyr, as hiç”, ka thënë ai kur është pyetur nëse do të jetë i pranishëm në sallë gjatë procesit të votimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
