Fadil Begu: Portret atdhetari, Ismet Begolli

Fadil Begu: Portret atdhetari, Ismet Begolli

(Njeriu që një jetë ia kushtoi Çështjes Kombëtare)
I lindur më 1955, në Kaçanoll të Mitrovicës, Ismet Begolli u rrit në një familje të ndjekur vazhdimisht nga pushtuesit serbo-sllavë dhe bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës. U rrit me brengat e familjes dhe me urrejtjen ndaj regjimit.
Familja e Ismetit, qysh para Luftës së Dytë Botërore, kishte filluar të mendonte për shkollimin e djemve. Gjyshi Adem kishte pesë djem, të gjithë të zotë e punëtorë.
Avdiu, më i madhi, kishte filluar punën në Trepçë. Zeneli, babai i Ismetit, ose, siç thuhej ndryshe, shtylla e shtëpisë, kujdesej për punët e shtëpisë, mjeshtërinë dhe gjithë pasurinë që po krijonte familja. Sejdiu, djali i tretë, i cili ishte më i dobët nga shëndeti, merrej kryesisht me udhëheqjen e zotërimeve të familjes. Kështu, me pëlqimin e plakut Adem dhe të vëllezërve, ai dërgohet në Medresenë e Gjakovës e më pas në Medresenë e Prishtinës, ku, përveç fesë, mësoi shkrim-leximin shqip, krijoi lidhje miqësore me shokë intelektualë dhe sillte literaturë në gjuhën shqipe.
Murseli ishte krahu i djathtë i Zenelit në punët e shtëpisë, ndërsa Shabani, si djali më i vogël, pas luftës kreu kurset e mësuesisë dhe u bë mësuesi i parë shqiptar nga Shala në atë rajon.
Me fillimin e LNÇ-së, në radhët e lëvizjeve çlirimtare u angazhuan edhe shumë djem e burra të familjes së gjerë Begu. Në radhët e tyre u angazhua drejtpërdrejt Sejdiu i cili ishte krahu i djathtë i Adem Vocës. Meqë Sejdiu dinte shkrim e lexim në shqip, serbisht dhe arabisht, Adem Voca e mbante afër vetes dhe kujdesej për të si për një anëtar të familjes.
Pas rënies së tribunëve të Shalës, Adem Vocës, Ukshin Kovaçicës dhe Ahmet Selacit, me të cilët familja Begu kishte edhe lidhje familjare e miqësie, Sejdiu, me sugjerimin e Adem Vocës ditën kur u ndanë nga ai, angazhohet në radhët e partizanëve, që të humb gjurmët e shërbimit  në lëvizje.
Pas tri vitesh në radhët e partizanëve, Sejdiu kthehet në katund dhe fillon punën në zyrat e Komunës si udhëheqës i administratës. Aty punon deri në fillim të vitit 1948, kur largohet nga puna me pretendimin se ishte “kullak”. Kjo shprehje përdorej për ato familje që kishin strehuar, ushqyer dhe ndihmuar udhëheqësit e Shalës, Ademin, Ukshinin dhe Ahmetin.
Që nga ajo kohë, Sejdiu i kthehet kujdesit për familjen dhe përpjekjeve për ngritjen e shkollës shqipe.
Ndërkohë kishin filluar kurset për mësues. Shabani, si djali më i vogël, shkon në Pejë dhe ndjek kurset e mësuesisë. Rreth vitit 1950 fillon detyrën e mësuesit në Shalë, fillimisht në Bajgorë, pastaj në Zabërgj dhe në Kaçanoll.
Në vitet 1959–1960, Shabani burgoset dhe largohet përkohësisht nga puna. Me ndihmën e disa miqve, punësohet në Han të Elezit, në fshatin Pustenik, ku punon rreth katër vjet. Gjatë kësaj kohe strehohet në familjen e Nazmi Bravës, atdhetar dhe burrë i njohur i asaj ane.
Më pas, me ndihmën e Ajet Gashit, dajës së Shabanit, kthehet dhe fillon përsëri punën e mësuesit, fillimisht në Zhiti për disa vite, pastaj në Kaçanoll. Në vitin 1975, UDB-ja dhe bashkëpunëtorët e saj e largojnë përfundimisht nga detyra e mësuesit.
Ishin vitet ’60 kur gjenerata e parë e nipave të Adem Kaçanollit ishte rritur. Rrethanat politike dhe familjare  nuk kishin lejuar që ata të dërgoheshin në shkollë, por gjeneratës së dytë, ku bënte pjesë edhe Ismeti, iu mundësua vazhdimi i shkollimit.
Ismeti, pasi kreu shkollën katërvjeçare në Kaçanoll, vazhdoi shkollimin në Shkollën “Emin Duraku” në Bajqinë, nga klasa e pestë. Shkollën fillore e përfundoi me sukses të lartë.
Në fillim të viteve ’70 regjistrohet në Gjimnazin e Podujevës, ku dallohet ndër nxënësit më të mirë. Më pas vazhdon studimet në Fakultetin Juridik, në drejtimin Gazetari dhe Diplomaci, të cilin e përfundon me rezultate të larta.
I inspiruar nga vuajtjet e popullit shqiptar, nga odat e familjes, të cilat ishin një lloj universiteti për të, si dhe nga literatura që tashmë sillnin nga Gjermania Rrahmani, Salihu dhe Ejupi, Ismeti kiahte krijuar lidhje të ngushtë edhe me profesorin Ukshin Hoti, i cili ishte profesor i tij.
Ismeti tashmë kishte zgjedhur rrugën e vështirë, por të ndritur: përpjekjen dhe luftën për çlirimin e Kosovës.
I punësuar si gazetar në RTP, menjëherë bie në sy të UDB-së. Ndiqej kudo dhe në çdo hap.
Por a ndalet një uragan?
Ismeti filloi formimin e celulave të para të rezistencës. I lidhur me shokë të tjerë të ilegalës, ai ishte ndër më të vlerësuarit, pasi mënyrën e të menduarit, shtrimin e temave dhe formën e veprimit i kishte të qarta.
Më 1 janar 1984 arrestohet në shtëpinë e tij në Podujevë. Pas gjashtë muajsh hetimesh dhe torturash, del para gjykatës.
Mbrojtja e tij në gjykatë nuk ishte thjesht mbrojtje për veprimet e grupit. Ajo u shndërrua në argumentimin e së drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje, deri në shkëputje, duke u mbështetur në argumente kushtetuese dhe juridike.
Nga frika se mos fjalët e tij tronditnin themelet e procesit, gjykata ia ndërpret fjalën. Bindja e tij, argumentimi i fakteve dhe njohja e normave juridike e tronditën gjykatën. Në fund, Ismeti dënohet me 12 vite burg.
Edhe pse në grupin e tij nuk konsiderohej udhëheqës i grupit, ai mori dënimin më të rëndë.
Pasuan vitet e tmerrit në burgjet serbe. I torturuar dhe i maltretuar fizikisht e psikologjikisht, Ismeti nuk u thye.
Edhe në burg tregoi vendosmërinë dhe guximin e tij, duke u futur edhe në grevë urie. Në një periudhë, e rrezikoi seriozisht shëndetin.
Kur UDB-ja nuk arriti ta thyejë, organizoi dy herë atentate ndaj tij, duke u përpjekur që ato të paraqiteshin si aksidente. Falë Zotit, të dyja herët shpëtoi, por pasojat e këtyre veprimeve çnjerëzore lanë gjurmë të thella në shëndetin e tij dhe të gjithë familjës Begu.
Pas këtyre dy atentateve të pasuksesshme, çështja e tij u ngrit pranë Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe këshillave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Deri në vitin 1990, në burgun e Pozharevcit, Ismeti luftoi me vdekjen që i kanosej çdo ditë. Organet e sigurimit i tmerronte guximi i tij, por edhe respekti që kishte krijuar në burg te të burgosurit e tjerë.
Në vitin 1990 lirohet nga burgu dhe, i rraskapitur, kthehet në familje.
Kthimi i tij në familje ishte fitore e madhe. Ishte gëzim. Ishte nder.
Por Ismeti nuk u ndal.
Fillimisht merret me shkrime, pastaj angazhohet në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në degën e Besianës.
 Zahir Pajaziti disa here mori këshilla nga Ismeti,pasi që lidjet familjare dhe shoqërore ishin krijuar me heret gjithashtu edhe besimi i ndersjelltë.
Ismeti ishte dhe mbeti inspirim i njeriut që qëndroi, qëndron dhe punoi për Çështjen Kombëtare.
ASNJËHERË nuk kërkoi privilegje dhe asnjëherë nuk iu nënshtrua asnjë grupimi politik të pasluftës.
Sikurse gjithë familjen e gjerë Begu-Begolli, edhe Ismetin e goditi në shpirt tragjedia familjare.
Më 25 mars 1999, afër shtëpisë së tij në Besianë, u ekzekutuan të paarmatosur: Zenel Adem Begu, babai i Ismetit; Sali Avdi Begu, djali i axhës; Xhevahir Gashi, djali i motrës; Emin Potera, djali i motrës; Ibrahim Potera, dhëndër; si dhe dy bashkëfshatarë, Maqastena, nga Katunishta.
Edhe pas gjithë këtyre plagëve, Ismeti vazhdoi të merrej me shkrime, kritika dhe analiza politike e shoqërore.
Ai ka dy djem, Kushtrimin dhe Arenin, si dhe bashkëshorten Eshrefën, mjeke dhe humanitare të respektuar. Gjatë viteve ’90, ajo punoi në mënyrë humanitare si mjeke në Shoqatën “Nëna Terezë”, duke u bërë një grua e respektuar nga familja dhe rrethi.
Sot Ismeti jeton në Podujevë njeri i respektuar dhe i nderuar nga familja rrethi dhe intelektualët Patriot.
Ismet Begolli mbetet një figurë e formuar nga vuajtja, dituria, guximi dhe qëndresa; një njeri që ia kushtoi jetën Çështjes Kombëtare dhe që, edhe përballë burgut, torturave e humbjeve të rënda familjare, nuk u dorëzua.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: ILMI RAMADANI – VEPRIMTARI QË LIGJËRONTE ME HESHTJE

Në përvjetorin e vdekjes së veprimtarit, të burgosurit politik, luftëtarit dhe humanistit Ilmi Ramadani Ka …