DEKLARATË E ASAMBLESË SË IMAMËVE TË ALKIG-ut
Ne i nderojmë xhamitë dhe kishat, sepse besimi na mëson respektin, ndërsa shqiptaria na ka mësuar bashkëjetesën.
Ne, imamët e Komunitetit Shqiptar të Bashkësisë Islame në Austri – ALKIG, me shqetësim po përcjellim debatet e ditëve të fundit në hapësirën publike shqiptare, veçanërisht në rrjetet sociale, ku çështjet e përkatësisë dhe konvertimit fetar gjithnjë e më shpesh po shoqërohen me gjuhë fyese, denigruese dhe përçarëse.
Pa hyrë në të drejtën individuale të askujt për të zgjedhur dhe praktikuar bindjen e tij fetare, ne konsiderojmë se asnjë debat rreth fesë nuk duhet të shndërrohet në burim urrejtjeje ndërmjet shqiptarëve myslimanë dhe katolikë.
Shqiptarët, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, kanë ndarë ndër shekuj gjuhën, vendlindjen, gëzimet, vuajtjet dhe fatin e përbashkët. Xhamitë dhe kishat kanë qenë dhe duhet të mbeten vende të besimit dhe adhurimit të Zotit, e jo simbole rreth të cilave ndërtohen ndarje, armiqësi dhe urrejtje.
Si imamë dhe bartës të përgjegjësisë fetare, ne e konsiderojmë obligim të ngremë zërin kundër çdo gjuhe që fyen, poshtëron apo përgjithëson besimtarët e një feje tjetër. Po aq të papranueshme i konsiderojmë përpjekjet për ta paraqitur Islamin apo Katolicizmin si diçka të huaj për shqiptarët, apo për ta matur shqiptarinë e dikujt sipas përkatësisë së tij fetare.
Shqiptari mysliman nuk bëhet më pak shqiptar pse është mysliman, sikurse shqiptari katolik nuk bëhet më pak shqiptar pse është katolik. Përkatësia fetare nuk duhet të shndërrohet në instrument për të përcaktuar se kush është më shumë apo më pak shqiptar.
Në mënyrë të veçantë u bëjmë thirrje imamëve, priftërinjve, intelektualëve, veprimtarëve publikë dhe të gjithë atyre që kanë ndikim në opinion që, në këtë periudhë të ndjeshme, të përdorin fjalën për të qetësuar e jo për të ndezur, për të afruar e jo për të ndarë.
Njëkohësisht u bëjmë thirrje bashkatdhetarëve tanë në Austri dhe në mbarë diasporën shqiptare që debatet dhe tensionet që zhvillohen në rrjetet sociale të mos i bartim në komunitetet tona. Ne këtu kemi ndërtuar me vite marrëdhënie të mira ndërmjet shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Këtë kapital të çmuar shoqëror duhet ta ruajmë dhe t’ua përcjellim edhe brezave tanë.
Të mos lejojmë që një postim, një deklaratë, një provokim apo një debat i çastit të rrënojë atë që breza të tërë e kanë kultivuar me mençuri.
Ne mund të mos pajtohemi për çështje të fesë, historisë apo identitetit. Mund të debatojmë dhe t’i mbrojmë bindjet tona me argumente. Por kufiri që nuk duhet ta kalojmë është urrejtja, fyerja, poshtërimi dhe nxitja e armiqësisë ndaj tjetrit për shkak të besimit të tij.
Feja nuk ka nevojë për urrejtjen tonë që të mbrohet. Ajo ka nevojë për besimtarë që e dëshmojnë atë me dije, moral, urtësi dhe vepra të mira.
Prandaj, nga Austria, ku shqiptarët myslimanë dhe të krishterë jetojnë pranë njëri-tjetrit dhe ndajnë shumë sfida të përbashkëta, përcjellim një mesazh të qartë:
Ta ruajmë besimin tonë pa e fyer besimin e tjetrit.
Ta mbrojmë identitetin tonë pa e mohuar identitetin e tjetrit.
Ta duam fenë tonë pa mbjellë urrejtje ndaj fesë së tjetrit.
Dhe mbi të gjitha, ta ruajmë njeriun, dinjitetin dhe bashkëjetesën.
Xhamia dhe kisha le të vazhdojnë të jenë vende ku shqiptari i lutet Zotit sipas bindjes së tij, ndërsa jashtë tyre të vazhdojmë ta shohim njëri-tjetrin si fqinj, miq, bashkëkombës dhe njerëz me dinjitet të barabartë.
Imamët e Komunitetit Shqiptar të Bashkësisë Islame në Austri – ALKIG
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
