Keith Self paralajmëron Hagën: Drejtësia nuk duhet t’i nënshtrohet paragjykimeve politike

Kongresmeni amerikan Keith Self ka ngritur shqetësime të forta për mundësinë e ndikimit politik në vendimmarrjen e institucioneve të drejtësisë, në prag të vendimit për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Self ka vlerësuar se nga procesi në Hagë po bëhet gjithnjë e më e dukshme një çështje që, sipas tij, kërkon vëmendje të veçantë: lejimi i paragjykimeve politike të ndikojnë në vendimet gjyqësore. “Shpresa ime është që një paragjykim i tillë të mos jetë i dukshëm këtë javë”, ka shkruar kongresmeni amerikan, duke iu referuar vendimit që pritet të merret në rastin e Thaçit dhe tre shqiptarëve që, sipas tij, luftuan për pavarësinë pas viteve të shtypjes serbe. Self ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun që një vendim i ndikuar nga politika të ketë pasoja përtej sallës së gjyqit, veçanërisht në një rajon me histori të thellë konfliktesh dhe tensionesh. “Ballkani është një fuçi baruti”, ka shkruar ai, duke theksuar se regjimet shtypëse mund të kenë interes t’i ushqejnë përçarjet dhe tensionet, në vend që të kontribuojnë në pajtim. Reagimi i kongresmenit amerikan vjen në një moment të ndjeshëm për procesin gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së, ndërsa vëmendja është përqendruar te vendimi i pritshëm dhe te mënyra se si drejtësia ndërkombëtare do ta trajtojë këtë çështje.

Kontrolloni gjithashtu

Vlora Çitaku akuzon Albin Kurtin për qasje të gabuar ndaj historisë së Kosovës

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti …