Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: NJË LIBËR ME DËSHMI TË SHUMTA INDIVIDUALE DHE VLERA SHKENCORE

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: NË EMËR TË CILIT POPULL, ZOTI SMITH?

Sot, më 16 shtator 2026, teksa po ndiqnim procesin gjyqësor në Hagë ndaj atyre që për ne mbeten udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër shumë fjalë të rënda që u shqiptuan në atë sallë gjyqi, një fjali e gjykatësit Charles Smith më tronditi në mënyrë të veçantë. Ndoshta sepse nuk e dëgjova vetëm me veshët e së tashmes. E dëgjova edhe përmes kujtesës sime, përmes viteve të tëra të kaluara duke hulumtuar dokumente, aktgjykime dhe dosje të të burgosurve politikë shqiptarë. Në atë çast, një fjali e shqiptuar në Hagë mjaftoi që e tashmja të përplasej befas me të kaluarën. “Në emër të popullit të Kosovës…”

Dhe pastaj: fajtor.

Ajo fjali më goditi.

Për një çast, si një vetëtimë, më ktheu shumë vite prapa. Salla e Hagës sikur u largua prej meje dhe para syve m’u shfaqën raftet e arkivave, dosjet e vjetra, faqet e zverdhura, procesverbalet dhe aktgjykimet e panumërta të shqiptarëve të dënuar politikisht në Jugosllavinë e dikurshme. Sa herë e kisha hasur një formulë të ngjashme në ato dokumente: “Në emër të popullit…”

Në emër të popullit shpallej aktgjykimi.

Në emër të popullit shqiptohej fajësia.

Në emër të popullit caktoheshin vitet e burgut.

E përballë gjykatësve qëndronin shqiptarë të akuzuar e të dënuar në procese politike të kohës, ndër ta njerëz që kërkonin më shumë të drejta kombëtare e politike, ndryshimin e pozitës së Kosovës dhe realizimin e aspiratave e të drejtave për popullin e tyre. Sa herë kam lexuar ato dosje, kam menduar për paradoksin e asaj formule: kush ishte ai “popull” në emër të të cilit shqiptohej dënimi?

Në dokumentet zyrtare mbetej vetëm gjuha e ftohtë juridike. Por pas saj kishte njerëz. Kishte frymëmarrje të rënda në sallë. Kishte familjarë që prisnin me ankth. Kishte nëna, baballarë, gra e fëmijë që dëgjonin se sa vite do t’u merreshin njerëzve të tyre. Dhe mund ta përfytyroj fare lehtë atë çast kur, pas shqiptimit të dënimit, dikush nga të pranishmit psherëtinte rëndë, dikush ulte kokën, ndërsa dikush tjetër, ndoshta aq ngadalë sa të mos dëgjohej nga gjykatësi, pëshpëriste ndër dhëmbë:

“Në emër të cilit popull?”

Në emër të cilit popull po i dënoni këta njerëz?

Dhe sot, pas kaq dekadash, pikërisht kjo pyetje më erdhi përsëri në mendje. Në emër të cilit popull, gjykatës Smith?

Sepse kur dëgjova fjalët “në emër të popullit të Kosovës”, nuk munda t’i dëgjoja si një formulë të zakonshme juridike. Për mua ato bartnin një peshë tjetër. Bartnin peshën e kujtesës historike. Bartnin jehonën e atyre dosjeve që kam lexuar për vite me radhë dhe të atyre njerëzve që, në kohë të tjera dhe para gjykatave krejt të tjera, kishin dëgjuar një formulë kaq të ngjashme përpara se t’u shqiptohej dënimi.

Sigurisht, historia kërkon ndershmëri edhe kur emocionet janë të forta. Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë dhe gjykatat e sistemit jugosllav të dekadave të kaluara nuk duhet të jenë institucione të njëjta, nuk kanë të njëjtin mandat dhe proceset e tyre nuk mund të barazohen juridikisht. Edhe vetë Smith, në fillim të shpalljes së aktgjykimit, theksoi se çështja kishte të bënte me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve dhe jo me legjitimitetin e UÇK-së apo me qëllimin e saj për një Kosovë të pavarur. Por unë këtu nuk po shkruaj një krahasim juridik. Po shkruaj për kujtesën.

Për atë mekanizëm të çuditshëm njerëzor që një fjali të vetme e merr nga e tashmja dhe, brenda një sekonde, ta lidh me dhjetëra vite histori.

Dhe ngjashmëria që ndjeva atë çast ishte pikërisht aty: te fjala “popull”. Sepse populli nuk është një formulë procedurale. Populli është njeriu që jeton historinë. Është ai që bart kujtesën e saj, plagët, kundërshtitë dhe shpresat. Prandaj, kur drejtësia flet “në emër të popullit”, ajo fjali merr një peshë që shkon përtej gjuhës së sallës së gjyqit.

Ndoshta për këtë arsye ajo më dhembi kaq shumë.

Sepse papritur m’u duk sikur historia po më luante një lojë të hidhur. Ndryshonin vitet. Ndryshonin gjykatat. Ndryshonin shtetet, sistemet politike, ligjet dhe rrethanat. Por në veshët e mi jehonte përsëri ajo formulë e njohur: “Në emër të popullit…”

Dhe unë, si dikur ata njerëz që i kam takuar vetëm nëpër faqet e dosjeve të arkivave, e gjeta veten duke bërë të njëjtën pyetje: Në emër të cilit popull?

Nuk pretendoj të flas në emër të gjithë popullit të Kosovës. Askush nuk duhet ta përvetësojë një të drejtë të tillë. Mund të flas vetëm në emrin tim, nga përvoja ime, nga kujtesa ime dhe nga mënyra se si e përjetova atë ditë.

Dhe pikërisht aty, në atë çast, e kuptova se e kisha gjetur edhe titullin e këtij shkrimi.

Jo në një libër. Jo në një arkiv. Jo në një teori politike. Por në përplasjen e dhimbshme ndërmjet një fjalie që dëgjova sot dhe qindra faqeve të historisë që kam lexuar dje:

NË EMËR TË CILIT POPULL?

Në emër të cilit popull, o gjykatës Smith, i shpallët fajtorë njerëzit që për shqiptaret kudo që janë lidhen me luftën çlirimtare të Kosovës? Në emrin tim, jo. Dhe unë besoj se shumë shqiptarë që dje e dëgjuan atë vendim kanë të drejtë ta shprehin po këtë ndjenjë. Për të tjerët nuk mund të flas, sepse nuk jam as gjykatëse dhe as kam të drejtë të flas në emër të askujt tjetër.

Por kam të drejtë të flas në emrin tim.

Kam të drejtë të them se dje më dhembi ajo fjali. Më dhembi sepse, ndërsa e dëgjoja, mendja më shkonte përtej sallës së gjyqit në Hagë, përtej aktakuzave, dosjeve dhe viteve të këtij procesi. Më kthente në një kohë kur Kosova nuk ishte e lirë; në vitet kur liria që sot e jetojmë ishte vetëm një ëndërr, një kërkesë e përsëritur brez pas brezi dhe një aspiratë për të cilën shumë njerëz paguan çmim të rëndë.

Sot unë jam e lirë. Jetoj në Kosovën e lirë. Dhe këtë fakt nuk mund ta ndaj nga kujtesa e rrugës së gjatë që na solli deri këtu. Lirinë nuk e trashëguam si diçka të mirëqenë. Atë e kërkuam me dekada e me breza, e ëndërruam kur dukej e paarritshme dhe e paguam me vuajtje, burgime, dëbime, sakrifica dhe jetë njerëzish.

Prandaj, kur dje dëgjova fjalët “në emër të popullit”, pyetja ime nuk ishte juridike. Ishte njerëzore, historike dhe thellësisht personale: në emër të cilit popull?

Nuk pretendoj të jap verdikte mbi verdiktin. Historia, drejtësia dhe koha do ta bëjnë vlerësimin e tyre. Por askush nuk mund të ma marrë të drejtën që, si qytetare e këtij vendi dhe si njeri që e ka përjetuar një pjesë të historisë së tij, ta shpreh dhimbjen time dhe ta shtroj këtë pyetje.

Sepse unë e di vetëm një gjë me siguri: sot jam e lirë dhe jetoj në lirinë që populli im e ëndërroi dhe e kërkoi me shekuj, fal Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhe pikërisht nga kjo liri që sot e gëzoj, kam të drejtë të pyes:

Në emër të cilit popull u shqiptuan dje ato fjalë?

Kur fjalët nuk mjaftojnë

Nganjëherë, ndoshta ju ka ndodhur edhe juve, vjen një çast kur njeriu thjesht mbetet i nemitur. Jo pse nuk ka çfarë të thotë, por sepse ajo që ndien është aq e rëndë dhe aq e papritur, saqë fjalët humbin kuptimin. Mendimet të vijnë njëri pas tjetrit, përplasen mes tyre, por asnjëri nuk arrin të marrë formën e një fjale apo të një reagimi. Mbetesh aty, i heshtur, duke u përpjekur të kuptosh jo vetëm atë që po ndodh rreth teje, por edhe atë që po ndodh brenda teje.

Ka çaste kur nuk di as si duhet të reagosh. Të flasësh të duket e pamjaftueshme, të heshtësh të duket e padrejtë. Kërkon një shpjegim, një arsye, diçka ku mund ta mbështetësh mendimin, por nuk e gjen. Dhe atëherë fillojnë pyetjet: A i ke faj dikujt? A duhet t’i zemërohesh dikujt? Apo të duket sikur e gjithë bota të ka faj ty? E, ndoshta, në ato momente as vetë nuk e di kujt t’ia drejtosh revoltën, zhgënjimin apo dhimbjen.

Mua, së paku, një ndjenjë e tillë nuk më kishte ndodhur kurrë më parë.

Kam përjetuar shumë ngjarje gjatë jetës. Kam parë kohë të vështira, kam dëgjuar lajme që kanë dhembur, kam përjetuar zhgënjime dhe kam qenë dëshmitare e një historie që për ne shqiptarët nuk ka qenë aspak e lehtë. Kemi kaluar nëpër periudha kur frika ishte pjesë e përditshmërisë, kur liria dukej e largët dhe kur e ardhmja shpesh ishte e mbështjellë me pasiguri. Por edhe në ato kohë, njeriu disi dinte çfarë ndiente. E dinte pse ishte i zemëruar, pse kishte frikë, pse shpresonte dhe për çfarë ëndërronte.

Ka momente të tjera, megjithatë, kur gjithçka përzihet. E kaluara me të tashmen, kujtesa me realitetin, ajo që ke përjetuar me atë që po dëgjon sot. Në ato çaste nuk arrin më t’i ndash qartë emocionet. Nuk e di nëse ajo që të mbizotëron është dhimbja, zhgënjimi, mosbesimi apo thjesht një zbrazëti e madhe që të lë pa fjalë.

Dhe pikërisht atëherë kupton se heshtja nuk është gjithmonë mungesë reagimi. Nganjëherë heshtja është vetë reagimi. Është ai çast kur mendja refuzon ta pranojë menjëherë atë që veshët kanë dëgjuar dhe sytë kanë parë. Është nevoja për t’u kthyer nëpër kujtime, për t’i vendosur ngjarjet në rrjedhën e kohës dhe për të pyetur veten se si arritëm deri këtu.

Ndoshta historia ka pikërisht këtë fuqi të çuditshme: ngjarjet që dikur i kemi jetuar si realitet, vite më vonë na rikthehen në një formë tjetër dhe na detyrojnë t’i shohim përsëri, nga një kënd që nuk e kishim menduar. Dhe atëherë njeriu mbetet mes dy kohëve – mes asaj që ka përjetuar dhe asaj që po ndodh para syve të tij.

Kështu u ndjeva sot edhe unë: e nemitur.

Për herë të parë nuk dija çfarë të thosha. Nuk dija kujt t’i drejtohesha, kë ta pyesja dhe as ku ta kërkoja përgjigjen. Vetëm e ndieja se brenda meje kishte shumë pyetje dhe shumë kujtime që kërkonin të dilnin në sipërfaqe.

E përcillja procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me një vëmendje të veçantë, herë me shqetësim e herë me shpresën se, pas gjithë atyre viteve të gjata të seancave, dëshmive, dokumenteve dhe përballjeve juridike, më në fund do të vinte një çast që shqiptaret e kishin pritur gjatë.

Nuk ishte një pritje e zakonshme. Për mua, dhe për shumë shqiptarë që e shihnin këtë proces përmes përvojës së tyre historike dhe kujtesës së luftës së Kosovës, ai nuk perceptohej vetëm si një çështje që zhvillohej brenda mureve të një gjykate në Hagë. Në mënyrë të pashmangshme, procesi prekte edhe një kapitull shumë më të gjerë të historisë sonë të afërt: luftën, sakrificën, humbjet njerëzore, dëbimet, rezistencën dhe rrugën e gjatë drejt lirisë.

Ditët kalonin, procesi vazhdonte dhe pritja bëhej gjithnjë e më e madhe. Kishte një bindje të brendshme se pas gjithë atyre viteve do të vinte një përgjigje. Një përgjigje që nuk do të kishte rëndësi vetëm për katër njerëzit e ulur në bankën e të akuzuarve dhe për familjet e tyre, por që do të dëgjohej me vëmendje edhe në Kosovë dhe gjithandej ku jetonin shqiptaret, sepse emrat e tyre janë të lidhur me një periudhë vendimtare dhe ende shumë të ndjeshme të historisë sonë politike.

Por historia, edhe atëherë kur mendojmë se e njohim mirë rrjedhën e saj, nuk përfundon gjithmonë ashtu siç e presim. Dhe ndonjëherë, vetëm disa fjalë të shqiptuara në një sallë gjyqi mjaftojnë që pritja e grumbulluar ndër vite të shndërrohet, brenda pak çastesh, në heshtje.

Dhe pastaj, krejt papritur, sikur nga qielli të kishte rënë diçka e rëndë mbi të gjitha pritjet tona, erdhi verdikti. Ishte një çast i vetëm, por mua m’u duk sikur brenda atij çasti u shembën vite të tëra pritjeje. Një “bam” i fuqishëm, jo ai që dëgjohet me vesh, por ai që kërcet diku thellë brenda njeriut dhe përnjëherë ia prish rendin e mendimeve, të shpresave dhe të bindjeve që kishte ndërtuar ndër vite.

U thyen pritjet. U lëkundën shpresat. U venit ajo dëshirë e kahershme që në fund të këtij procesi të gjatë gjyqësor, njerëzit që për ne ishin të lidhur pazgjidhshmërisht me luftën çlirimtare të Kosovës, të dilnin nga ajo sallë të lirë dhe të ktheheshin në vendin e tyre, pranë familjeve të tyre.

Ndoshta pikërisht këtu qëndronte edhe pesha e atij momenti. Për mua, kjo nuk ishte vetëm çështje e katër individëve. Në kujtesën time, emrat e tyre ishin të ndërthurur me një periudhë historike kur Kosova luftonte për të dalë nga një realitet i rëndë dhe për ta fituar lirinë. Prandaj, dëshira ime kishte qenë që ata të dilnin të pafajshëm nga ky proces dhe që mbi luftën tonë të mos mbetej asnjë hije që mund të përdorej për ta vënë në pikëpyetje karakterin çlirimtar që ajo ka në kujtesën time dhe në kujtesën e shqiptarëve.

Por verdikti erdhi ndryshe nga ajo që kisha shpresuar.

Në atë moment, pa e kuptuar as vetë, mbeta e nemitur. Nuk bëra asnjë reagim. Nuk thashë asgjë. Vetëm shikoja ekranin dhe përpiqesha të kuptoja nëse vërtet po dëgjoja atë që po dëgjoja.

Pastaj e shikova burrin tim-Tefikun.

E shikova gjatë, pothuajse pa folur, me atë shpresën e çuditshme që lind kur njeriu nuk dëshiron ta pranojë menjëherë një lajm. Doja që ai të më thoshte vetëm një fjali: “Jo, nuk e dëgjove mirë.” Doja të më thoshte se kisha keqkuptuar fjalët e gjykatësit. Se përkthimi kishte qenë i gabuar. Se verdikti ishte tjetër. Se ajo që sapo kisha dëgjuar nuk ishte ajo që në të vërtetë ishte shqiptuar në sallën e gjyqit.

Por ai nuk ma tha.

Dhe heshtja e tij, në atë çast, më tha më shumë se çdo fjalë.

Atëherë e kuptova se nuk kisha dëgjuar gabim. Ato fjalë ishin shqiptuar. Verdikti ishte dhënë. Pas viteve të tëra të një procesi gjyqësor, pas qindra dëshmive, mijëra dokumenteve dhe një pritjeje që për shumë njerëz në Kosovë ishte shndërruar në një çështje thellësisht emocionale dhe politike, gjykata kishte dhënë vlerësimin e saj juridik.

Dhe pas kësaj, në mendjen time menjëherë u kthyen vitet e luftës. U kthyen pamjet e Kosovës së asaj kohe, njerëzit e dëbuar nga shtëpitë e tyre, familjet e ndara, të vrarët, të zhdukurit, kolonat e refugjatëve dhe gjithë ajo histori e rëndë që e kishte paraprirë lirinë tonë.

Ndoshta pikërisht këtu fillon përplasja më e vështirë ndërmjet drejtësisë, politikës dhe kujtesës historike. Gjykata e kishte thënë fjalën e saj. Por ajo që unë ndieja në atë çast ishte diçka tjetër: ishte përplasja ndërmjet asaj që kisha shpresuar të dëgjoja dhe asaj që sapo kisha dëgjuar.

Prandaj mbeta e heshtur.

E shikoja burrin tim dhe ende, diku thellë brenda vetes, prisja të më thoshte se gjithçka ishte një keqkuptim. Por nuk ishte.

Dhe ndoshta pikërisht në atë heshtje fillova ta kuptoj se disa momente historike nuk përjetohen menjëherë me fjalë. Fillimisht ato të godasin. Pastaj të heshtin. Dhe vetëm më vonë fillon përpjekja për t’i kuptuar.

Dhe pikërisht në atë moment, ndërsa ende përpiqesha ta përthithja atë që sapo kisha dëgjuar, pata një ndjesi të çuditshme: sikur papritur të kisha hyrë në kufirin e historisë. Sikur e tashmja të ishte çarë për një çast dhe, përmes saj, të më hapej përpara gjithë e kaluara jonë. Gjithçka filloi të më kalonte para syve me shpejtësinë e një filmi të vjetër të përshpejtuar. Njëra pamje ndiqte tjetrën. Njëra kohë përzihej me tjetrën. Dhe sa më shumë përpiqesha të qëndroja në të tashmen, aq më shumë mendja më kthente prapa, në kapitujt e rëndë të historisë shqiptare, në periudhat e sundimeve, të luftërave, të copëtimit të hapësirave shqiptare, të shpërnguljeve, të burgosjeve dhe të përndjekjeve politike.

Më dilte para syve sidomos Kosova e shekullit XX: një histori e mbushur me përplasje politike, me kërkesa për të drejta, me demonstrata, burgosje e represion, por edhe me përpjekje të vazhdueshme për arsim, kulturë, barazi dhe afirmim politik. Më kujtoheshin vitet kur kërkesa për liri nuk ishte një nocion abstrakt, por pjesë e jetës së përditshme të njerëzve.

Dhe pastaj mendja më ndalej te vitet nëntëdhjetë.

Te një Kosovë në të cilën institucionet shqiptare ishin goditur rëndë, ku shumë punëtorë shqiptarë humbën vendet e punës, ku arsimi dhe jeta publike shqiptare u organizuan për vite të tëra në rrethana jashtëzakonisht të vështira. Më dilnin para syve shkollat e improvizuara nëpër shtëpi private, demonstratat, arrestimet, dhuna dhe pasiguria që rëndonte mbi jetën e përditshme. Dhe pastaj lufta: civilët e vrarë, familjet e ndara, shtëpitë e djegura, njerëzit që braktisnin pragun e shtëpisë pa e ditur nëse do të ktheheshin ndonjëherë.

Në atë rrjedhë kujtimesh më vinte të thërrisja:

O njerëz, ne nuk e deshëm luftën!

Nuk e kërkuam luftën si aventurë dhe as si rrugë drejt lavdisë. Për shumë prej nesh, lufta erdhi pasi hapësira për një jetë normale dhe për një zgjidhje paqësore ishte ngushtuar gjithnjë e më shumë. Ajo u përjetua si diçka e imponuar nga rrethanat e një konflikti që ishte rënduar ndër vite dhe që, në fund, shpërtheu me gjithë tragjedinë e vet.

Ne nuk kërkonim pallate. Nuk ëndërronim pasuri të pafundme dhe as jetë luksi. Në kujtesën time, dëshira ishte shumë më elementare se kaq: të jetonim të lirë në tokën tonë. Të mund të flisnim gjuhën tonë pa frikë. Të shkolloheshim. Të punonim. Të ndërtonim familjet tona. Të vendosnim për jetën tonë politike dhe shoqërore. Të mos na duhej ta shikonim policin në rrugë me ankth. Të mos prisnim trokitjen në derë me frikën se dikush mund të merrej dhe të mos kthehej. Të mos largoheshim nga shtëpitë tona me një trastë në dorë dhe me fëmijët pas vetes.

Çfarë luksi kishte në këto kërkesa? Asgjë.

Ishte vetëm kërkesa e njeriut për të jetuar me dinjitet.

Prandaj, kur sot flitet për luftën e Kosovës, unë nuk mund ta ndaj atë nga ajo që i parapriu. Nuk mund ta shoh vetëm përmes ditës kur filluan krismat e armëve dhe ta harroj gjithë rrugën politike e historike që kishte ardhur përpara tyre. Lufta nuk lindi në një zbrazëti historike. Ajo kishte një para-histori të gjatë tensionesh, mohimesh, përplasjesh dhe përpjekjesh politike, dhe pikërisht brenda këtij konteksti duhet të kuptohet edhe mënyra se si shumë shqiptarë e përjetuan atë.

Dhe në atë moment sikur po qëndroja në një vijë të hollë ndërmjet së tashmes dhe së kaluarës. Përpara meje ishte ekrani dhe një sallë gjyqi në Hagë; pas meje qëndronte një histori e tërë, me njerëzit e saj, me vuajtjet, rezistencën, humbjet dhe shpresat e saj.

Atëherë e kuptova edhe më fuqishëm pse verdikti më kishte goditur kaq shumë. Nuk po e dëgjoja vetëm me veshët e një qytetareje që ndiqte një proces gjyqësor. Po e dëgjoja edhe përmes kujtesës sime, përmes asaj që kisha jetuar dhe përmes historisë së vendit tim. Dhe nga gjithë ai lumë kujtimesh më mbetej vetëm një mendim, i thjeshtë dhe njerëzor: Ne nuk kërkuam luftë. Kërkuam të jetonim të lirë.

Sepse, në fund të fundit, liria që për dikë mund të jetë një fjalë në një dokument politik, për një popull që e ka kërkuar gjatë mund të jetë gjëja më e thjeshtë dhe njëkohësisht më e çmuar: e drejta për të jetuar i lirë, me dinjitet, në atdheun e vet.

Dhe çfarë ndodhi pastaj?

Erdhi një kohë kur nuk mjaftonte më vetëm të prisnim. Nuk mjaftonte të shpresonim se dikush tjetër do ta zgjidhte fatin tonë. Për shumë shqiptarë të Kosovës, ajo që kishte nisur si kërkesë për të drejta, barazi dhe liri, në fund u shndërrua në një përballje për mbijetesë. Njerëzit dolën të mbronin atë që për ta ishte më elementarja dhe më e shtrenjta: shtëpinë, familjen, dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e tyre.

Askush që e ka përjetuar luftën nuk mund ta romantizojë atë. Lufta nuk është poezi. Nuk është vetëm flamur, këngë dhe heroizëm. Lufta është frikë, humbje, ikje, pritje, varre dhe familje që nuk e dinë nëse do të zgjohen të nesërmen nën të njëjtën çati. Për këtë arsye, kur them se shqiptarët dolën për të mbrojtur vendin e tyre, për mua kjo nuk është një frazë politike. Është kujtesë e një kohe që e kemi jetuar.

Dhe në një moment vendimtar të asaj historie, Kosova nuk mbeti vetëm. Bota demokratike e pa përshkallëzimin e saj. Çështja e Kosovës doli nga kufijtë e saj dhe u bë çështje ndërkombëtare. Diplomacia ndërkombëtare u përfshi, ndërsa në vitin 1999 NATO ndërmori ndërhyrjen ushtarake kundër Republikës Federale të Jugosllavisë. Lufta përfundoi, forcat jugosllave dhe serbe u tërhoqën nga Kosova dhe filloi një kapitull krejt tjetër i historisë sonë.

Prandaj, për mua, ajo që ndodhi më 16 shtator 2026 në Hagë ishte kaq e vështirë për t’u përjetuar. Pas gjithë atyre viteve të pritjes, u shqiptuan dënime jashtëzakonisht të rënda ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së: 25 vjet për Hashim Thaçin, 18 për Kadri Veselin, 13 për Rexhep Selimin dhe 25 për Jakup Krasniqin — gjithsej 81 vjet burgim, me njohjen e kohës së kaluar në paraburgim.

Tetëdhjetë e një vjet!

Është një numër që, kur e shqipton, të detyron të ndalesh.

Për mua, nuk ishin thjesht katër numra të lexuar nga një trup gjykues në Hagë. Përballë ekranit, ato vite përplaseshin me kujtesën time për njerëzit që i kisha njohur si figura të luftës dhe të historisë politike të Kosovës. Përplaseshin me vitin 1998, me vitin 1999, me refugjatët, me shtëpitë e djegura, me të vrarët dhe të zhdukurit, por edhe me ditën kur njerëzit filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Gjykata, natyrisht, nuk deklaroi se po gjykonte luftën e Kosovës në tërësi. Vendimi i saj kishte të bënte me përgjegjësinë penale individuale të katër të akuzuarve për vepra konkrete; madje ata u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për disa prej incidenteve të veçanta të përfshira në aktakuzë. Kjo dallueshmëri juridike është e rëndësishme dhe historia duhet ta regjistrojë saktë.

Por një vendim juridik mund të lexohet ndryshe në sallën e gjykatës dhe ndryshe në ndërgjegjen e një shoqërie që ende e mban të gjallë kujtesën e luftës. Dhe pikërisht aty lindte për mua dilema më e rëndë: si mund ta ndaj njeriu kaq lehtë individin nga historia nëpër të cilën ai ka kaluar? Si mund t’i dëgjosh ato 81 vjet dhe të mos të kthehet mendja te Kosova e viteve nëntëdhjetë?

Unë nuk mundesha.

Sepse në kujtesën time ata nuk shfaqeshin vetëm si katër të akuzuar në një sallë gjyqi. Ata shfaqeshin edhe si pjesë e një brezi dhe e një lëvizjeje që, në perceptimin tim, lidhet me një prej periudhave më vendimtare të historisë moderne të Kosovës.

Dhe atëherë pyetja bëhej edhe më e madhe se vetë verdikti.

Si arritëm deri këtu?

Si ndodhi që njerëzit që dikur i pamë duke dalë nga lufta, që më pas i pamë në proceset politike të ndërtimit të institucioneve të Kosovës, dekada më vonë t’i shihnim në një sallë gjyqi në Hagë duke dëgjuar dënime që, të mbledhura së bashku, arrijnë 81 vjet burgim?

Ndoshta pikërisht kjo është një nga ironitë më të dhimbshme të historisë: ajo nuk përfundon ditën kur mbaron lufta. Ajo vazhdon të rishkruhet, të interpretohet, të kontestohet e madje edhe të gjykohet shumë vite më vonë, shpesh nën peshën e përpjekjeve për të krijuar një lloj balance politike mes palëve, edhe atëherë kur historia vetë nuk mund të peshohet me një peshore të tillë.

Dhe kur e shoh historinë nga ky këndvështrim, 81 vitet e shqiptuara atë ditë në Hagë nuk mund t’i dëgjoj vetëm si numra. Për mua ato hapën përsëri një plagë të historisë sonë dhe një pyetje që do të vazhdojë të kërkojë përgjigje shumë kohë pasi të ketë heshtur salla e gjyqit.

Jo, liria jonë nuk na erdhi në pjatë. Nuk na u dhurua një mëngjes të bukur nga dikush që vendosi se edhe ne, më në fund, e meritonim të jetonim të lirë. Liria e Kosovës nuk mund të kuptohet pa rrugën e gjatë që e parapriu atë, pa përpjekjet politike, pa rezistencën, pa burgjet, pa demonstratat, pa sakrificat dhe pa jetët njerëzore që shënuan historinë tonë brez pas brezi.

Për të luftuan gjenerata të tëra, secila në mënyrën dhe në rrethanat e veta. Dikush luftoi me armë, dikush me fjalën e shkruar, dikush me veprimtari politike, dikush duke mbajtur gjallë arsimin dhe kulturën, e dikush duke e paguar bindjen e vet me burg, përndjekje apo mërgim. Historia e lirisë nuk është historia e një dite dhe as e një brezi të vetëm. Ajo është një varg i gjatë përpjekjesh në të cilin secila gjeneratë mori diçka nga ajo që kishte lënë brezi para saj dhe ia përcolli brezit që vinte pas. Kjo ishte edhe meritë e këtyre katër çlirimtarëve.

Pastaj erdhi brezi mbi të cilin ra barra e viteve nëntëdhjetë. Ai e provoi rezistencën paqësore, organizimin paralel të jetës institucionale, shkollimin nëpër shtëpi private dhe përpjekjen që një shoqëri e tërë të mbijetonte politikisht e shoqërisht në kushte gjithnjë e më të rënda. Në fund erdhi edhe lufta, me gjithë tragjedinë, humbjet dhe pasojat që ajo sjell për çdo shoqëri.

Prandaj, kur sot flasim për lirinë, duhet ta kujtojmë se ajo ka një histori shumë më të gjatë se dita kur përfundoi lufta. Liria e sotme është e lidhur me përpjekjet e shumë brezave dhe me forma të ndryshme të rezistencës politike e shoqërore. Ajo është ndërtuar mbi një kujtesë kolektive në të cilën bashkëjetojnë krenaria dhe dhimbja, fitorja dhe humbja, shpresa dhe sakrifica.

Dhe pikërisht për këtë arsye liria duhet të trajtohet me përgjegjësi.

Sepse kur një brez trashëgon atë për të cilën brezat para tij kanë paguar një çmim kaq të lartë, ai nuk trashëgon vetëm të drejtën për ta gëzuar atë. Trashëgon edhe detyrimin për ta ruajtur, për ta forcuar dhe për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm.

Ne sot mund të debatojmë, të kundërshtojmë njëri-tjetrin, të kritikojmë institucionet tona, të kërkojmë drejtësi dhe të kemi pikëpamje të ndryshme për të kaluarën e për të ardhmen. Edhe kjo është pjesë e lirisë. Por në gjithë këto dallime nuk duhet të harrojmë sa e gjatë ishte rruga që na solli deri këtu.

Sepse liria nuk është vetëm territor dhe as vetëm flamur. Liria është mundësia që fëmija të rritet pa frikën që kanë njohur prindërit e tij; që të shkollohet në gjuhën e vet; që njeriu të shprehë mendimin pa u frikësuar nga dera që mund t’i trokasë natën; që një shoqëri të vendosë vetë për të ardhmen e saj.

Prandaj them përsëri: jo, liria jonë nuk na erdhi në pjatë. Ajo kishte një çmim. Dhe atë çmim nuk e pagoi vetëm një njeri, një organizatë apo një gjeneratë. Në mënyra të ndryshme, atë e paguan breza të tërë. Disa nuk arritën as ta shihnin ditën për të cilën kishin ëndërruar.

Ne patëm fatin ta shohim.

Dhe ndoshta pikërisht kjo duhet të na bëjë ta kuptojmë më mirë se liria nuk është vetëm një e drejtë që e kemi fituar. Është edhe një amanet që e kemi marrë nga ata që erdhën para nesh dhe një përgjegjësi ndaj atyre që do të vijnë pas nesh. Shpesh më kujtohen fjalët e babait tim. Në bisedat tona, sidomos kur flitej për Kosovën, për fatin e shqiptarëve dhe për lirinë që dukej aq e largët, ai më thoshte me një bindje që atëherë ndoshta nuk arrija ta kuptoja deri në fund: “Po qe nevoja, do të bëhesha kurban për lirinë e popullit tim.”

E dëgjoja këtë fjali shumë herë. Por për një kohë të gjatë ajo mbeti për mua vetëm një shprehje e fuqishme e dashurisë së tij për vendin dhe popullin e vet. Sot, kur e rikujtoj, e kuptoj se brenda atyre pak fjalëve fshihej një botë e tërë: përvoja e një brezi që ishte mësuar ta mendonte lirinë jo si diçka të garantuar, por si një ideal për të cilin njerëzit ishin të gatshëm të sakrifikonin shumë.

Atëherë fjala “kurban” më dukej e rëndë. Edhe sot më duket e tillë. Sepse asnjë jetë njerëzore nuk duhet të shihet si një çmim i dëshirueshëm për një ideal politik. Por historia na përball shpesh me një të vërtetë të dhimbshme: në rrugën drejt lirisë, popujt kanë kaluar nëpër humbje, burgime, përndjekje, mërgime dhe sakrifica që askush nuk do të duhej t’i dëshironte.

Dhe sot, pas gjithë asaj që kemi kaluar, e kuptoj më mirë se çfarë donte të më thoshte babai.

Ai nuk e dëshironte sakrificën. Ai e dëshironte lirinë. Por vinte nga një brez që e dinte se liria nuk ishte gjithmonë falas dhe se, në periudhat më të vështira të historisë, dikush kishte paguar për të. Dikush kishte humbur rininë në burg. Dikush kishte lënë familjen dhe kishte marrë rrugën e mërgimit. Dikush kishte humbur shtëpinë, punën apo mundësinë për t’u shkolluar. E në kapitujt më tragjikë të historisë, dikush kishte humbur edhe jetën.

Ndoshta prandaj sot ajo fjali e babait më tingëllon krejt ndryshe. Sot e kuptoj se “kurbani” i lirisë nuk është vetëm ai që bie në luftë. Është edhe ai që sakrifikon një pjesë të jetës së vet për një ideal që beson se është më i madh se vetvetja. Është i burgosuri politik që humb vite të rinisë. Është familja që pret. Është mërgimtari që jeton larg vendit të vet. Është nëna që përcjell të birin dhe nuk e di nëse do ta shohë përsëri. Është mësuesi që vazhdon të japë mësim në rrethana të jashtëzakonshme, intelektuali që nuk hesht dhe qytetari që përpiqet ta ruajë dinjitetin edhe kur rrethanat ia bëjnë këtë pothuajse të pamundur.

Në këtë kuptim, historia jonë është e mbushur me sakrifica. Breza të ndryshëm dhanë diçka nga vetja që brezi pas tyre të kishte më shumë liri. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse sot, kur jetojmë në një realitet që dikur dukej pothuajse i paarritshëm, nuk duhet ta marrim lirinë si diçka që ka ekzistuar gjithmonë.

Ajo ka kujtesë.

Ka emra.

Ka familje.

Ka mungesa.

Ka varre.

Dhe ka njerëz që nuk arritën ta shohin ditën për të cilën punuan dhe shpresuan. Prandaj sot, më shumë se kurrë, e kuptoj fjalinë e babait tim. E kuptoj jo si thirrje për sakrificë, por si dëshmi të një kohe dhe të një brezi që e kishte kuptuar sa e shtrenjtë mund të bëhej liria kur ajo mungonte.

Dhe ndoshta ky është paradoksi më i dhimbshëm i historisë: askush nuk duhet të bëhet kurban për të qenë i lirë, por shumë prej lirive që sot i konsiderojmë të natyrshme janë paraprirë nga sakrificat e njerëzve që nuk patën mundësinë t’i gëzonin vetë. Sot, kur i kujtoj fjalët e babait, më duket sikur më në fund e kuptoj peshën e tyre.

Ai fliste për sakrificën. Unë sot jetoj lirinë për të cilën brezi i tij ëndërronte. Dhe kjo më bën ta ndiej lirinë jo vetëm si të drejtë, por edhe si përgjegjësi: ta ruajmë me institucione, me drejtësi, me kujtesë dhe me dinjitet, në mënyrë që brezat që vijnë pas nesh të mos kenë më nevojë të bëhen “kurban” për ta fituar atë.

Edhe tani, disa orë pasi lajmi që mori dhen dhe fjalët e gjykatësit u dëgjuan deri në fund, ende nuk arrij të vij plotësisht në vete. Përpiqem ta bind veten se vërtet i dëgjova ato vite burgimi të shqiptuara ndaj njerëzve që, në kujtesën time dhe në kujtesën e shumë shqiptarëve, mbeten të lidhur pazgjidhshmërisht me luftën për çlirimin e Kosovës.

Kanë kaluar disa orë dhe do të kalojnë shumë vite, por tronditja në kujtesën ton nuk do të kalojë.

Ndoshta sepse ka lajme që njeriu i dëgjon dhe i kupton menjëherë, ndërsa ka të tjera që mendja i dëgjon, por zemra refuzon t’i pranojë. Ky, për mua, ishte njëri prej tyre. Ende më duket e pabesueshme që pas gjithë atyre viteve  të luftës, të pritjes, pas gjithë atij procesi të gjatë dhe pas gjithë shpresës që ishte krijuar, fundi i kësaj dite të ishte ky. Ende e kam të vështirë t’i bashkoj në të njëjtën pamje Kosovën e lirë të sotme me atë sallë të ftohtë gjyqi në Hagë, në të cilën u shqiptuan ato dënime.

Megjithatë, përtej tronditjes së këtij çasti, brenda meje mbetet një bindje që ky verdikt nuk mund ta ndryshojë: liria dhe çlirimtaret nuk mund të dënohen.

Mund të gjykohen njerëzit. Mund të shqyrtohen veprimet e individëve. Mund të ketë aktakuza, procese, vendime, dënime dhe beteja të tjera juridike. Por çlirimtaret janë dhe do të mbesin çlirimtar dhe liria e një populli është e drejt e patjetersueshme.

Ajo nuk mund të futet në bankën e të akuzuarve. Nuk mund të mbyllet brenda një dosjeje dhe as të matet me numrin e viteve të një dënimi. Historia e Kosovës, me të gjitha dhimbjet, kundërthëniet dhe sakrificat e saj, është shumë më e madhe se një sallë gjyqi dhe shumë më e gjatë se një proces gjyqësor.

Kosova sot është e lirë.

Ky është realiteti në të cilin jetojmë dhe për të cilin breza të tërë punuan, shpresuan dhe sakrifikuan. Dhe pikërisht për këtë arsye, edhe në këtë mbrëmje kaq të rëndë, nuk dua që fjalën e fundit të këtij shkrimi ta ketë dëshpërimi.

Dua të ketë shpresa.

Besoj se rruga juridike nuk përfundon domosdoshmërisht me këtë ditë dhe se koha do të sjellë zhvillimet e veta. Dhe unë dua të besoj se do të vijë dita kur ata do të kthehen faqebardhë si lufta e tyre e drejt.

Në Kosovën e lirë.

Në vendin prej nga u nisën.

Pranë familjeve të tyre.

Pranë njerëzve që i presin.

Nuk e di se kur do të jetë ajo ditë. Nuk mund ta dijë askush sot. Por shpresa nuk ka nevojë për një datë që të ekzistojë. Ajo jeton pikërisht në kohët kur njeriu ka më së shumti nevojë për të.

Prandaj, pas gjithë asaj që dëgjova sot, pas heshtjes, revoltës, kujtimeve dhe pyetjeve që më janë grumbulluar brenda, dua ta mbyll këtë shkrim jo me urrejtje dhe as me thirrje kundër dikujt.

Dua ta mbyll me një fjali të thjeshtë.

Një fjali që nuk është verdikt, as parashikim dhe as pretendim për të folur në emër të të gjithëve. Është vetëm shprehja ime e pritjes dhe e shpresës:

NA PO I PRESIM…

Kontrolloni gjithashtu

MSc. Adem LUSHAJ: 24 Marsi – Ditë e qëndresës dhe sakrificës kombëtare

MSc. Adem Lushaj: PSE DY STANDARDE PËR ZBATIMIN E VENDIMEVE TË GJYKATËS KUSHTETUESE?

Në një shtet që synon të ndërtojë demokraci funksionale dhe sundim të ligjit, nuk duhet …