Shënimet e 4 dhe 5 nëntorit 2020 dëshmojnë tronditjen e akademikut për arrestimin dhe dërgimin në Hagë të drejtuesve të UÇK-së
Akademiku dhe shkrimtari Rexhep Qosja, në një pjesë të ditarit të tij të pabotuar, të shkruar më 4 dhe 5 nëntor 2020, ka regjistruar me shqetësim të thellë arrestimin dhe dërgimin në Hagë të drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figurave politike të vendit. Këto shënime, të ruajtura në dorëshkrim dhe të transkriptuara nga faqet origjinale të ditarit, sjellin reagimin e tij të drejtpërdrejtë ndaj zhvillimeve që tronditën Kosovën pas konfirmimit të aktakuzave nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në faqen 66 të ditarit, që mban datën 4 nëntor 2020, Qosja përshkruan bastisjen e shtëpisë së ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, në Prishtinë dhe në fshatin e tij të lindjes. Ai shkruan se bastisja në shtëpinë e Krasniqit kishte zgjatur nga mëngjesi deri pasdite, ndërsa shpreh indinjatën e tij për marrjen e librave të tij gjatë kontrollit.
“Çfarë vrazhdësie! Çfarë egërsie!”, shkruan Rexhep Qosja në ditarin e tij, duke e cilësuar këtë veprim si “Stalinizëm ‘demokratik’ europian!”. Në të njëjtën faqe, ai shpreh shqetësimin se bastisja mund të ishte paralajmërim për zhvillimet që do të pasonin ndaj Hashim Thaçit.
Më vonë, sipas shënimeve të tij, Qosja merr vesh se Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë dërguar në Hagë. Për mënyrën se si mediet e kishin paraqitur këtë zhvillim, ai shkruan: “Mediet tona thonë çfigurshëm: udhëtuan për në Hagë!”. Në vijim, ai shpreh gjendjen e tij emocionale: “Jam shumë i brengosur. Keqardhje e madhe më ka pushtuar. Po përjetojmë ditë të vështira!”.
Në faqen 67, të datës 5 nëntor 2020, akademiku përshkruan marrjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nga forcat në uniforma të EULEX-it, ndërsa shënon edhe dorëheqjet e tyre nga detyrat shtetërore dhe partiake. Ai e përshkruan këtë zhvillim si një tronditje të madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për Kosovën.
“Këto janë aktakuzat e konfirmuara më tronditëse, që e rëndojnë shumë UÇK-në, që e rëndojnë edhe Kosovën shtet, që na rëndojnë shumë të gjithëve”, shkruan Qosja.
Në faqet pasuese të dorëshkrimit, ai rikthehet te kundërshtimi i tij ndaj krijimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Qosja shënon se kishte qenë kundër krijimit të kësaj gjykate, për të cilën kishte shkruar dhe dhënë intervista, duke theksuar se Kosova nuk duhej ta krijonte vetë një institucion që do të mund ta gjykonte luftën e saj çlirimtare.
Ai e lidh këtë shqetësim me qëndrimin e tij për karakterin mbrojtës dhe çlirimtar të luftës së UÇK-së, duke kundërshtuar atë që e sheh si rrezik të barazimit të luftës së Kosovës me luftën pushtuese të Serbisë.
Në fund të shënimit të 5 nëntorit 2020, pas lajmit se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ishin dërguar në Hagë me aeroplan ushtarak, Rexhep Qosja shpreh tronditjen e tij me një thirrje të fuqishme:
“O, o, o sa jam i tronditur! Dje Jakupi, Jakup Krasniqi, e sot këta të tre! Hashimi, Kadriu, Rexhepi!”
Dhe ditarin e asaj dite e përmbyll me fjalët:
“KOSOVË! KOSOVË! ÇKA PRITE!”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
