„ Tradhëtor,ti na nxive,na le pa atdhe.
Ti na çthure,na çkule,na çduke çdo fe,
Varfëri,poshtërsi,robëri ti na dhe…“
Jo rastësisht e fillova këtë shkrim me vargjet e Fan S. Nolitt, jo vetëm sa për ta shprehur revoltën tim kundër këtij vendimit të padrejtë në Hagë, por edhe për ta portretizuar sado pak figurën e tradhtarëve dhe rolin e tyre gjatë këtij procesi gjyqësor. Nuk po ju drejtohem si emra por, po ju drejtohem si ndërgjegje : „Tradhëtor, na lat pa atdhe“. Kjo nuk është thjeshtë një thirrje por është dhimbje e një populli që e ka paguar shtrenjtë çmimin e lirisë. Ata ende e kanë të freskët në kujtesën e tyre se pas çdo flamuri që valon ka njerëz që kurrë nuk u kthyen në shtëpi. Pas çdo ditë lirie nënat pritën bijtë e tyre që nuk i panë më. Ka baballarë që tërë jetën mbetën me fotografitë e fëmijëve në duar e shumë fëmijë që u rritën pa përqafimin e prindërve të tyre. Prandaj, sado që sot ata janë fshehur pas perdes se gjykatës me maskat e tyre , jam e bindur se një ditë e vërteta do të triumfojë e maskat e tyre do të çirren. Kurse ajo pjesë e popullatës që me naivitetin dhe padijen e tyre ranë preh e propagandës së tyre një ditë do ta kuptojnë të vërtetën e do të turpërohen para vetvetes. Këtu është fjala për ata individë që më vetëdije të plotë i shërbyen qeverisë serbe përmes dëshmive të fabrikuara në Beograd.
Sot, më shumë se kurrë është kuptuar nga pjesa më e madhe e popullit se tradhtia si akti më i shëmtuar moral i njerëzimit është dënuar edhe nga vet Dante në rrethin e nëntë të „ Ferrit“.
Vërtetë gjykata në Hagë e dha vërdiktin e saj duke i dënuar padrejtësisht me tetëdhjetë e një vite burgim krerët Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës, ndër denimet më drastikët në historinë e kombit tonë. Por kjo gjykatë na dha edhe për të kuptuar se nuk ishte vendim në emër të popullit të Kosovës sado që u përpoq t’ia atribuoi ati, ky gjykim u bë në emër të tradhtisë. Tashmë është e kuptueshme se përtej viteve të burgimit qëndron historia, lufta dhe kujtesa e një populli të lashtë, ndër më të lashtit në Ballkan. Mbi të gjitha qëndron pyetja: deri kurë do të jemi prehë e pazareve politike të Evropës?!
Kosova nuk e fillojë luftën për të pushtuar toka, Kosova e filloj luftën sepse një popull i tërë kërkonte të jetonte i lirë në trojët e veta dhe kjo e vërtetë historike nuk mund të tjetërsohet nga asnjë sallë gjyqi në Botë. E as nga spiunët shqipfolës që për interesat e tyre personale u bënë dëshmitar të një tradhtia kombëtare.
Historia na ka mësua se në të shumtën e rastërve dënimi më i madh si komb na ka ardh jo nga pushtuesit por nga bashkëpunëtoret e tyre. Ndoshta narrativa e këtyre ngjarjeve të trishta e nxiti Richard Holbrooke vite më parë të shprehte këtë opinionin : „ E kemi ditur që shqiptarët në Kosovë duhet ti mbrojmë nga kriminelët serb, por nuk e kemi paramenduar se do të na duhej ti mbronim edhe nga vetvetja- shqiptarin nga shqiptari“. Prandaj, sot më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar „zotri“ kryeministër Kurti.
Në mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, në mund të kemi mendime dhe bindje të ndryshme politike por kjo nuk do të thotë se për interesa të ulëta personale ne duhet të veprojmë kundër atdheut tonë. Para personalitetit tuaj, dhe mbi çdo gjë është dashur të jetë dinjiteti i shtetit tonë. Atdheu ( kuptohet, nëse ju i referoheni Kosovës si atdhe), nuk është fjalë që përdorët vetëm kur t‘iu leverdisë juve, nuk është flamur që duhet ta përdorësh vetëm kur do ti dhe si do ti. Kosova është toka ku kemi lindur, është gjuha që e flasim, është kujtesë që e trashëguam, histori që e mbajmë mbi supe dhe përgjegjësi që duhet tua lëmë brezave. Për këtë arsye me të drejtë ekziston një kufi që nuk guxon të shkelët për asnjë çmim: se atdheu nuk tradhtohet, ai duhet të mbrohet edhe në paqe kur dihet se në kufi kemi një ish pushtues që lufton për ta zhbërë shtetin tonë.
Nga përvoja e hidhur historike kemi kuptuar se ai që punon me vetëdije kundër interesave të shtetit të vet në bashkëpunim me të huajt quhet tradhtar. Prandaj më shumë se kurrë sot është koha ta dëshmoni qëllimin e rrugëtimit tuaj duke u bërë krah me popullin e jo më partinë. Një komb nuk guxon të gjykohet në katër emra, ata morën dënimin në emër të gjakut të derdhur për liri. Ky dënim është absurdi më i madh i kësaj epoke.
„ Tradhtari kurrë mos u lindë, po u lind, mos u rritë, po i rritë mos u shtoftë, veç u faroftë“ , thoshte dikur Idriz Seferi.
16 SHTATORIT
( Në frymën e një elegjie të Nolit)
Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,
Na mbushë sofrën me lot e me dhe,
Na e këpute këngën, na e ngrive zërin,
Po se mbytë dot Kosovën, se mbytë dot nderin!
O ditë e gjashtëmbëdhjetë shtatorit
Ditë e rëndë për tokën arbërore;
Ç ‘plagë na hape në zemër
Ç ‘heshtje na hodhe mbi flamur.
Në Hagë morën vendime
Si gur të rëndë mbi kujtesën,
U dënuan burrat e luftës,
Po nuk dënohet liria.
Kush e dënon atë nënë
Që pret djalin në prag?
Kush i dënon ata bijë
që ranë për flamur në kufijtë?
Mos na kërkoni heshtje
Se heshtja është varr,
Kur mbi të vërteten hidhet dhe
Heshtja është plagë.
Kur historia shkruhet pa ne.
Nëse drejtësi kërkon bota,
le të kërkojë për të gjithë.
Nëse viktimat kanë zë;
le të dëgjohet edhe zëri ynë.
Mos na ndani historinë në copa,
Mos na e këputni lirinë në dysh!
Mos na thoni se lufta ishte krim.
Dhe UÇK-ja përtej gjykimeve,
Përtej emrave,
Përtej njerëzve
Mbetët në kujtesën e shqiptarit si emri i një kohe kur liria kërkonte guxon.
Sot mund të dënoni ata burra,
Mund ti mbyllni katër porta
Mund të shkruani mijëra faqe
Por s‘mund ti vini pranga një historie.
Oj Kosovë mos çajë!
Oj Kosovë mos u përkulë!
Ti ke qarë mjaft
Ke varrosur mjaft
Ke pritur mjaft.
Tani ngrihu!
Jo me urrejtje
Por me krenari.
Jo me hakmarrje
Por më të vërtetën.
Jo më heshtje
Po më zërin e atyre që nuk patën mundësi të flasin.
Se historia nuk shkruhet vetëm nga ata që mbajnë vulë.
Historia shkruhet edhe nga ata që mbajnë plagë..
Dhe plagët e Kosovës
Kanë emër
Kanë fytyra
Kanë nëna
Kanë varre
Kanë fëmijë
Kanë kujtime që nuk vdesin.
„ Tradhëtor, ti na nxive…“
Por këtë herë Kosova do tu përgjigjet:
Unë kam qenë këtu dhe këtu do të jem.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
