Analisti Blerim Canaj tha se Kosova duhet të ketë një qeveri të kujdesshme dhe me gjykim të mirë politik sa i përket çështjeve që lidhen me Dhomat e Specializuara në Hagë. Duke komentuar zhvillimet politike në vend, Canaj tha se deri më tani nuk po sheh lëvizje konkrete për zgjedhjen e presidentit, duke shprehur skepticizëm se kjo çështje mund të zgjidhet së shpejti. Ai tha se, nëse do të ekzistonte një qeveri legjitime, një prej prioriteteve kryesore të saj do të duhej të ishte përballja me procesin në Hagë dhe sigurimi i mbrojtjes sa më profesionale për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara. “Po që do të kishte një interesim që të zgjidhet presidenti, unë jam shumë i sigurt që tani nuk do të merreshim me këtë temë fare. Kur e mendoj ecurinë e deritanishme, atëherë dyshoj edhe më tutje që do të ketë diçka konkrete në këtë drejtim, për shkak se nuk po shoh ndonjë lëvizje, së paku deri më tani”, tha Canaj. Sipas tij, ekziston mundësia që çështja e zgjedhjes së presidentit të zvarritet, ndërsa paralajmëroi për pasoja institucionale nëse vendi hyn në një periudhë pa zgjidhje të qëndrueshme politike. “Madje, kam përshtypjen që po pritet që të harrohet edhe kjo dhe pastaj ne të futemi edhe de jure në anarki prej tetorit”, u shpreh ai. “Po të ishte presidenti, po të ishte qeveria legjitime, atëherë kërkesa kyçe do të ishte që të fokusohem pikërisht në këtë çështje dhe të mos dalin me kursime të buxhetit për këtë çështjen e apelit në Hagë”, tha Canaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
