Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte një prej figurave me të cilat Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre bashkëpunuan në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Por, a e detyron aktgjykimi në Hagë Perëndimin ta rishikojë edhe atë periudhë dhe rolin e Thaçit në zhvillimet që çuan drejt pavarësisë së Kosovës? Charles Kupchan, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, nuk mendon se aktgjykimi do ta ndryshojë këtë vlerësim. “Thaçi e bëri atë kalim, apo jo? Nga një udhëheqës i kohës së luftës, i dënuar tani për mizori, ai u bë një udhëheqës civil që ndihmoi Kosovën të ecte drejt pavarësisë dhe të ndërtonte marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara, me fuqitë evropiane dhe me të tjerët. Prandaj, nuk mendoj se kjo do të ndryshojë”, tha Kupchan për Radion Evropa e Lirë. Kupchan nuk pret tërheqje të njohjeve, dëmtim të partneriteteve të Kosovës me vendet perëndimore apo pengim të rrugës së saj euroatlantike. Sipas tij, as procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk vihet në pikëpyetje nga ky zhvillim. “Kosova po luftonte për t’u mbrojtur nga spastrimi etnik dhe, për këtë arsye, lufta për pavarësi ishte një luftë e drejtë. Një luftë e drejtë nuk i justifikon krimet e luftës. Një padrejtësi nuk mund të arsyetohet me një padrejtësi tjetër. Nëse Thaçi dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së kanë kryer krime lufte – edhe pse kauza për të cilën luftonin ishte e drejtë – atëherë mendoj se gjykata ka bërë atë që duhej të bënte”, tha Kupchan. “Si edhe me udhëheqës të tjerë që kanë bërë gjëra të guximshme dhe me vlerë, por që njëkohësisht janë akuzuar edhe për vepra penale, përfshirë krime lufte, edhe në rastin e Thaçit ekzistojnë të dyja anët. Është një trashëgimi e ndërlikuar. Dy momentet historike qëndrojnë më shumë se 18 vjet larg njëri-tjetrit: nga roli i Thaçit në procesin e pavarësisë së Kosovës deri te aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
