Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, është bërë “objektiv i gabuar” i reagimeve të disa qytetarëve në Prishtinë, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e saj lidhur me deklaratat e mëhershme për Gjykatën Speciale. Në një bashkëbisedim me studentë në SHBA, Kurti tha se përqendrimi te deklaratat e Gërvallës dhe reagimet emocionale ndaj tyre i dëmtojnë ish-drejtuesit e UÇK-së të dënuar në Hagë. Ai u përgjigj edhe ndaj pyetjes së studentes Laura Dragusha, e cila kërkoi të dinte pse Gërvalla nuk u është drejtuar publikisht qytetarëve për të sqaruar qëndrimin e saj pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. “Donika Gërvalla ka thënë shumë gjëra, por çështja është se çfarë po zgjidhni ju të shfaqni nga ato që ajo ka thënë. Mendoj se është dëm i madh ndaj katër liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët padrejtësisht janë të burgosur në Hagë, që të drejtohet reagimi emocional kundër Donika Gërvallës”, tha Kurti. Ai shtoi se kundërshtimi ndaj tij politik nuk duhet të shndërrohet në sulm ndaj Gërvallës, duke e cilësuar atë “objektiv të gabuar”. Ndërkaq, studentja Anisë Murseli kundërshtoi këtë interpretim, duke thënë se pyetja e Laura Dragushës nuk ishte “reagim emocional” dhe se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë një sqarim publik nga ministrja e Drejtësisë për qëndrimin e saj. Ajo tha se, sipas saj, njerëzit kërkojnë vetëm që Gërvalla të rikonfirmojë publikisht nëse ka dërguar apo jo prova në Gjykatën Speciale, duke e cilësuar këtë si një kërkesë të arsyeshme në një vend demokratik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
