Tre vjet nga Banjska, NATO përsërit thirrjen për përgjegjësit: Të dalin para drejtësisë

Tre vjet pas sulmit të armatosur në Banjskë, NATO ka përsëritur thirrjen që personat përgjegjës për dhunën e vitit 2023 të nxirren para drejtësisë. Sulmi ndodhi më 24 shtator 2023, ndërsa gjatë përleshjes u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Një zyrtar i NATO-s ka deklaruar se Aleanca vazhdon të kërkojë llogaridhënie për autorët e sulmit, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e angazhimit konstruktiv të Serbisë me NATO-n dhe vendet fqinje. “Ne kemi qenë shumë të qartë me homologët tanë serbë – në të gjitha nivelet – se sulmet e kryera ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe dhuna e mëtejshme e ushtruar në Kosovë në vitin 2023, janë të papranueshme. Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje që përgjegjësit të mbahen përgjegjës”, ka deklaruar zyrtari. Ai ka shtuar se Serbia mbetet e rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe se NATO pret që ajo të angazhohet në mënyrë konstruktive me Aleancën dhe fqinjët e saj. Sipas tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vazhdon të jetë në kontakt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.  “KFOR-i është i pozicionuar mirë për t’u përballur me çdo zhvillim të sigurisë, përfshirë përmes shtimit të pranisë në veri të Kosovës, me anë të patrullimeve, pikave të vëzhgimit dhe kontakteve me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve”, thuhet në përgjigje. NATO ka rikujtuar se KFOR-i vepron në bazë të mandatit të Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hasani: Për zgjedhje 200 milionë euro, për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së rreth 40 milionë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë së udhëhequr …