“Çfarë ndodhi në atë sallë nuk mund të pranohet!” Me këtë ton të fortë, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se vendimi, sipas tij, prek thelbin e luftës së Kosovës dhe rrënon karakterin e saj si luftë për çlirim.
Hoxhaj, i cili ishte i pranishëm në sallë gjatë shpalljes së aktgjykimit, ka thënë se në diskursin e gjykimit nuk është dëgjuar, sipas tij, historia e gjendjes në të cilën ndodhej Kosova para luftës, ndërsa e ka përshkruar atë periudhë si kohë robërie, shtypjeje dhe mohimi të të drejtave themelore të shqiptarëve.
Sipas Hoxhajt, lufta e UÇK-së nuk mund të shkëputet nga rrethanat që e paraprinë atë. Ai ka theksuar se lufta për çlirim, sipas tij, ishte e drejtë dhe e arsyeshme dhe se Kosova gjatë luftës kishte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, vendeve evropiane dhe demokracive të tjera perëndimore.
Duke folur për atë që dëgjoi në sallën e Hagës, Hoxhaj ka përdorur gjuhë të ashpër, duke e cilësuar diskursin historik dhe intelektual të aktgjykimit si “të turpshëm” dhe “totalisht të poshtër”.
Ai ka thënë se nuk mund të pranojë një qasje që, sipas tij, nuk e vendos në qendër pushtimin serb, krimet, spastrimin etnik dhe shtypjen sistematike të shqiptarëve në Kosovë.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin me 25 vjet, Jakup Krasniqin me 25, Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim, gjithsej 81 vjet. Të katër u shpallën fajtorë për katër kategori të krimeve të luftës, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
