Besnik Tahiri kritikon institucionet: Ligji për Specialen mbetet në sirtar, shteti nuk qeveriset në minutën e fundit

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar institucionet e vendit për vonesat në procedimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar këtë qasje si një tjetër dëshmi të funksionimit të shtetit vetëm nën presionin e krizave. Tahiri ka reaguar në një moment kur ka mbetur edhe një javë nga afati kur Kuvendi pritet të përballet me çështjen e zgjedhjeve të reja, duke thënë se edhe temat më të rëndësishme institucionale po shtyhen deri në momentet e fundit. Ai ka ngritur pyetjen se përse Ministria e Drejtësisë ende nuk e ka kthyer projektligjin në Kuvend, ndërsa ka theksuar se bëhet fjalë për një ligj që mund të diskutohet, ndryshohet dhe votohet përmes procedurave parlamentare. “Kjo mënyrë e funksionimit, ku gjithçka shtyhet dhe lihet për fund, po e dëmton seriozisht funksionimin institucional. Shteti nuk qeveriset në 24 orët e fundit”, ka deklaruar Tahiri. Deputeti i Aleancës ka kritikuar gjithashtu mungesën e një diskutimi serioz për zgjedhjen e presidentit dhe për funksionalitetin e institucioneve, duke vlerësuar se problemet po shtyhen nga një krizë në tjetrën, në vend që të trajtohen përmes një procesi të rregullt institucional. Sipas tij, çështjet që prekin funksionimin e shtetit dhe përgjegjësinë institucionale nuk mund të mbeten peng i afateve të fundit dhe presionit politik. “Pse nuk flitet seriozisht për një shtet funksional dhe llogaridhënie? Kjo nuk është qeverisje. Është shtyrje e vazhdueshme e problemit deri në minutën e fundit”, ka shkruar Tahiri.

Kontrolloni gjithashtu

Presidenti i Kosovës ende pa emër, partitë kanë vetëm shtatë ditë për marrëveshje

Partitë parlamentare në Kosovë ende nuk kanë bërë publik ndonjë kandidat të ri për president, …