Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se sot është mbajtur mbledhja e radhës e Kryesisë së partisë, e para pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe në prag të përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit. Gjini ka thënë se Aleanca mbetet e prerë në qëndrimin e saj ndaj Gjykatës Speciale, ndërsa ka kërkuar që ndihma ligjore për ish-krerët e UÇK-së dhe mbrojtja e të drejtave shtetërore të Kosovës të mos përzihen me politika partiake. “Aleanca vazhdon të jetë e prerë nga fillimi në raport me Specialen, derisa, do të vazhdojë të kërkojë nga të gjitha palët që procesin e ndihmës ligjore për krerët e UÇK-së në Hagë dhe mbrojtjen e të drejtës sonë shtetërore në asnjë moment të mos e ngatërrojmë me politika partiake”, ka shkruar Gjini. “Zvarritja e mëtejshme e procesit për zgjedhjen e presidentit duke shkuar drejt fundit të afatit të caktuar nga Kushtetuesja dhe tendencat për manovra me afate dhe lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese, rrezikojnë të krijojnë një paqartësi edhe më të madhe për qytetarin e Kosovës”, ka deklaruar ai. Gjini ka theksuar se Aleanca do të vazhdojë angazhimin politik për mbrojtjen e rendit kushtetues, rikthimin e funksionalitetit institucional dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
