Djali i ish-kryeparlamentarit dhe njërit prej krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqit, i ka reaguar ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, pas deklaratës së tij se udhëheqësit e UÇK-së janë dënuar për përgjegjësi individuale. Me këtë rast Altin Krasniqi ka shkruar: I nderuar Ambasador, Do të vlerësohej shumë nëse faktet do të verifikoheshin me më shumë kujdes para se të bëheshin deklarata të tilla publike. Si mund të flitet për përgjegjësi individuale kur, siç tregon përmbledhja e vendimit, të akuzuarit nuk u gjetën përgjegjës për veprime individuale siç pretendohej, por u dënuan për shkak të roleve të tyre si udhëheqës politikë të organizatës ushtarake e cila, në bashkëpunim me vendin tuaj, ndihmoi në çlirimin e Kosovës? I njëjti vendim thekson se objektivi i të akuzuarve dhe i UÇK-së ishte pavarësia e Kosovës – një pavarësi që u arrit pikërisht me mbështetjen e vendit tuaj – dhe se dhuna u përdor kundër individëve që e kundërshtonin atë objektiv. Ambasador, ju bëj thirrje me respekt që t’i verifikoni faktet para se të bëni deklarata të tilla publike. Deklaratat e kësaj natyre nuk i bëjnë nder as jush dhe as vendit që përfaqësoni, të cilit populli i Kosovës i mbetet thellësisht mirënjohës për mbështetjen e dhënë, përfundon reagimin e ti Altin Jakup Krasniqi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
