Altin Krasniqi ka bërë thirrje për miratimin në lexim të dytë të Ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, duke kundërshtuar lidhjen e këtij procesi me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Në një reagim publik, Krasniqi ka theksuar se ligji kishte marrë 91 vota në lexim të parë, ndërsa ka ngritur pyetjen se përse nuk po procedohet edhe në leximin e dytë. Sipas tij, çështja e UÇK-së nuk duhet të shndërrohet në mjet negocimi politik për çështje të tjera institucionale. Ai ka kërkuar që fillimisht të votohet ligji, ndërsa çështjet e tjera politike të trajtohen përmes komunikimit dhe kompromisit institucional. Krasniqi ka përmendur edhe rastin e Jakup Krasniqit, duke kundërshtuar, siç shprehet ai, idenë që përgjegjësia penale të lidhet vetëm me pozitën udhëheqëse që një person ka pasur gjatë luftës. Ai ka theksuar se familjarët nuk po kërkojnë mëshirë, por angazhim institucional për të burgosurit në Hagë. “Votoni ligjin. Mos e bëni UÇK-në pjesë të pazareve politike”, është thirrja e Krasniqit. Në fund, ai ka kërkuar nga deputetët që të angazhohen për kthimin në Kosovë të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proceset dhe dënimet në Hagë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
