Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të thërrasë urgjentisht seancë plenare për përfundimin e miratimit të projektligjit që, sipas PDK-së, synon mbrojtjen e UÇK-së, çlirimtarëve dhe historisë së Kosovës. PDK-ja ka kritikuar zvarritjen e procesit, duke kërkuar që Kuvendi ta përmbyllë procedurën në dy lexime dhe të mos lejojë që kjo çështje të mbetet peng i kalkulimeve politike. Sipas partisë, iniciativa është paraprirë nga konsultime me partitë politike shqiptare dhe duhet të trajtohet si përgjegjësi institucionale. PDK-ja ka theksuar gjithashtu se çështja nuk duhet të kushtëzohet me procese të tjera politike apo të shndërrohet në pazare ndërpartiake. Në të njëjtën komunikatë, PDK-ja ka reaguar ashpër edhe ndaj zhvillimeve gjatë protestës, duke e dënuar atë që e cilëson si “dhunë joproporcionale” të Policisë së Kosovës ndaj protestuesve. “Protesta është e drejtë e çdo qytetari”, thuhet në reagim, ku PDK-ja kërkon nga Qeveria, kryeministri dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të ndalin, sipas saj, çdo veprim jashtë kompetencave kushtetuese e ligjore dhe të mos përdorin Policinë për shtypjen e protestës. Partia ka kërkuar hetim të plotë për rastet e raportuara të dhunës dhe tejkalimit të autorizimeve policore, duke bërë të ditur se rastet e evidentuara do t’i adresojë në Inspektoratin Policor të Kosovës. PDK-ja ka kërkuar gjithashtu llogaridhënie për përgjegjësinë në urdhërimin dhe zbatimin e veprimeve policore, ndërsa ka shprehur solidaritet me qytetarët që, sipas saj, janë lënduar gjatë protestës. Në përmbyllje, PDK-ja ka përsëritur kërkesën që Kuvendi të veprojë pa vonesa për ligjin dhe që institucionet të garantojnë të drejtën e qytetarëve për protestë paqësore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
