Luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Halil Çadraku, ka reaguar pas protestave të mbrëmshme në Prishtinë, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm për rininë e Kosovës, luftëtarët e UÇK-së dhe qytetarët që morën pjesë në protestë. Përmes një reagimi në vargje, Çadraku ka shprehur revoltën e tij ndaj zhvillimeve të mbrëmshme, duke e lidhur protestën me sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së dhe me atë që ai e konsideron si padrejtësi ndaj tyre. “Jeni më të lirë se ne në këtë burg të madh”, shkruan Çadraku, duke iu drejtuar brezit të ri dhe duke e ftuar të mos lejojë që “pluhuri i harresës” të mbulojë të vërtetën e luftës. Në reagimin e tij, ai kujton dëshmorët, invalidët e luftës dhe pjesëtarët e UÇK-së që ndodhen në qeli, duke theksuar se sakrifica e tyre, sipas tij, nuk mund të fshihet apo të harrohet. Çadraku ka shprehur gjithashtu kritika të ashpra ndaj veprimeve të Policisë së Kosovës gjatë protestave të mbrëmshme, duke përdorur një gjuhë të fortë dhe akuzuese. “Policia jonë, thikë pas shpine pasardhësve të UÇK-së”, shkruan ai, ndërsa vijon me vargje të tjera ku shpreh revoltën ndaj atyre që, sipas tij, vepruan kundër protestuesve dhe luftëtarëve. Ai paralajmëron se historia do t’i gjykojë veprimet e secilit, duke shkruar se “historia nuk harron e as gjaku nuk humb”, ndërsa në fund nënvizon se ata që kanë rënë ose po vuajnë, sipas tij, do të mbeten të përjetësuar në kujtesën e lirisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
