Sami Lushtaku kritikon ashpër Kurtin pas protestës: Dhuna është fytyra e vërtetë e pushtetit

Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit dhe përplasjet e mbrëmshme mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës. Duke folur në mesin e protestuesve në qendër të Prishtinës, Lushtaku e cilësoi dhunën e mbrëmshme si “fytyrën e vërtetë të Albin Kurtit”, duke akuzuar pushtetin se ka ardhur në qeverisje përmes, siç u shpreh ai, “mashtrimeve dhe rrenave”. Në fokus të kritikave të tij ishte edhe mosmiratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Lushtaku tha se ligji nuk duhet të shihet si një çështje që lidhet vetëm me ish-krerët e UÇK-së, por si një përgjegjësi institucionale ndaj Kosovës dhe sakrificës së popullit. “Ky ligj nuk është për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, është për Kosovën, për shtetin, për gjakun dhe sakrificën”, deklaroi Lushtaku. Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë pronë e individëve apo e një partie politike, por, sipas tij, përfaqësonte një luftë të mbështetur nga populli shqiptar. Lushtaku ngriti akuza të rënda edhe ndaj mënyrës se si, sipas tij, është menaxhuar Policia e Kosovës gjatë protestave. Ai pretendoi se në strukturat policore ka persona me lidhje familjare në Serbi dhe kërkoi që përgjegjësia për veprimet e mbrëmshme të mos i lihet thjesht policisë në terren. Megjithatë, ai bëri dallim mes Policisë së Kosovës dhe vendimmarrjes politike, duke thënë se protestuesit nuk duhet t’i shohin policët si armiq. “Ne nuk i shohim policët tanë si armiq, por as nuk i shohim partitë tona si armiq – si kundërshtarë politikë po”, tha ai. Në fund, Lushtaku tha se prioriteti duhet të jetë miratimi i ligjit dhe jo kushtëzimi i tij me zgjedhjen e presidentit.

Kontrolloni gjithashtu

PDK kërkon seancë urgjente për ligjin për UÇK-në dhe hetim për dhunën ndaj protestuesve

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të thërrasë …