Justina Shiroka-Pula pas zgjedhjes presidente: “Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve”

Justina Shiroka-Pula, pas zgjedhjes në postin e presidentes së Republikës së Kosovës, ka mbajtur fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se detyrën e re e pranon me nder, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj të gjithë qytetarëve. Në fjalimin e saj pas përfundimit të procesit të zgjedhjes, Shiroka-Pula tha se mandati presidencial nuk i përket vetëm një individi, por të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të Republikës. “Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha ajo. Presidentja e re u zotua se gjatë mandatit të saj do të përfaqësojë të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo shoqërore. “Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, u shpreh Shiroka-Pula. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së karakterit demokratik të shtetit dhe vazhdimit të orientimit euroatlantik të Kosovës, duke vënë në pah marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.  “Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, deklaroi ajo. Pas përfundimit të procesit të votimit, Shiroka-Pula dha edhe betimin para deputetëve të Kuvendit, duke marrë kështu zyrtarisht përgjegjësinë e kreut të shtetit. Me marrjen e detyrës, Shiroka-Pula bëhet bartëse e një prej funksioneve më të larta kushtetuese të Republikës së Kosovës, në një periudhë të shoqëruar me zhvillime të rëndësishme politike dhe institucionale.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj përshëndet protestuesit: Deputetët t’i kryejnë detyrat që ua ka dhënë populli

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u është drejtuar protestuesve që po kërkojnë miratimin e ndryshimeve …