Në një zhvillim të rëndësishëm institucional, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka zgjedhur akademiken Justina Shiroka-Pula Presidente të Republikës së Kosovës, me 81 vota. Shiroka-Pula merr detyrën e kreut të shtetit pas një karriere të gjatë në akademi, institucione publike dhe politikë. Ajo është aktualisht kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), pozitë në të cilën u zgjodh në dhjetor të vitit 2025, duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë institucion. Ajo ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës në vitin 1976, ndërsa studimet pasuniversitare në teorinë dhe politikën e zhvillimit ekonomik i përfundoi në Universitetin e Zagrebit. Më pas, doktoroi në Universitetin e Prishtinës me temën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”. Ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara. Përveç angazhimit akademik, Shiroka-Pula ka pasur edhe një rol aktiv në jetën publike. Nga viti 2008 deri më 2011 ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave, ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës. Në vitet e pasluftës, ajo është angazhuar edhe në fuqizimin e grave, barazinë gjinore, zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësinë. Në vitin 2025 u zgjodh në krye të ASHAK-ut, duke u bërë gruaja e parë në historinë e këtij institucioni që mban postin e kryetares. Kandidatura e saj për Presidente ishte propozuar nga kryeministri Albin Kurti gjatë zhvillimeve politike të 6 tetorit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
