Çlirim Haziri pas miratimit të Ligjit për Specialen: “Fitorja është e madhe, por ky është vetëm fillimi”

Pas miratimit në Kuvendin e Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, organizatori i protestave 21-ditore, Çlirim Haziri, iu drejtua qytetarëve të mbledhur në sheshin e Prishtinës me një fjalim emocional. Haziri e cilësoi votimin e ligjit si rezultat të drejtpërdrejtë të presionit dhe këmbënguljes së qytetarëve, të cilët për 21 ditë me radhë protestuan duke kërkuar nga institucionet miratimin e ndryshimeve ligjore.  “Fitorja e sonte është e madhe, por ky është vetëm fillimi i angazhimit tonë të pandalshëm qytetar në mbrojtje të Republikës”, tha Haziri para masës protestuese. Duke iu drejtuar drejtpërdrejt protestuesve, ai theksoi se miratimi i ligjit, sipas tij, nuk erdhi si rezultat i një vullneti të vetë politikës, por i qëndrimit të qytetarëve në shesh. “Ky ligj nuk na u fal. Ky ligj nuk kaloi nga dëshira e atyre aty brenda. Ky ligj u fitua këtu jashtë. U fitua nga ju”, deklaroi ai.  Haziri tha se miratimi i ligjit nuk duhet të shihet si përfundim i angazhimit qytetar, duke paralajmëruar vazhdimin e presionit për zbatimin e tij dhe për çështjet që lidhen me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. “Ky votim sonte nuk është asnjë mrekulli. Ai është thjesht një borxh i vonuar, një detyrim minimal që ky shtet e kishte ndaj atyre që i dhanë jetën”, u shpreh ai.  Në fjalimin e tij, Haziri përmendi edhe emrat e dëshmorëve të UÇK-së, ndërsa tha se përkrahësit e protestës do ta vazhdojnë angazhimin edhe pas votimit të ligjit. “Mendja dhe zemra jonë mbeten atje, në Hagë”, tha ai, duke iu referuar proceseve gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.  Në fund, Haziri falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen gjatë 21 ditëve të protestave dhe e përmbylli fjalimin me thirrjen: “Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës!”

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj përshëndet protestuesit: Deputetët t’i kryejnë detyrat që ua ka dhënë populli

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u është drejtuar protestuesve që po kërkojnë miratimin e ndryshimeve …