Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së Kosovës është raportuar nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters si një zhvillim që i dha fund pasigurisë politike dhe shmangu mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja parlamentare. Sipas Reuters, Shiroka-Pula u zgjodh nga Kuvendi i Kosovës me 81 vota, në një proces që u zhvillua në prag të përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Agjencia vë në dukje se moszgjedhja e presidentit brenda afatit të përcaktuar do të mund të çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke shtuar pasigurinë në skenën politike. Në raportimin e saj, Reuters i referohet edhe tensioneve të ditëve të fundit në Prishtinë. Agjencia përmend protestat e së hënës, gjatë të cilave Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit që kërkonin miratimin e ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara. Reuters thekson se posti i presidentit në Kosovë ka kryesisht rol ceremonial, por zgjedhja e kreut të shtetit ka qenë në disa raste një pikë e rëndësishme e përplasjeve politike. Për zgjedhjen e presidentit kërkohet një shumicë e kualifikuar në Kuvend, çka e ka bërë të vështirë arritjen e konsensusit mes subjekteve politike. Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, procesi institucional për zgjedhjen e presidentit është përmbyllur pa u hapur rruga për një tjetër proces zgjedhor parlamentar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
