Gjermania i kërkon Kosovës ritëm të ri drejt Evropës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka bërë thirrje që Kosova ta shohë integrimin evropian jo vetëm si një proces politik, por si një mundësi për të kontribuar në mënyrë aktive në paqen dhe sigurinë e kontinentit. Rudolph ka folur në Prishtinë, gjatë pritjes së organizuar me rastin e Ditës së Unitetit Gjerman, ku ka vlerësuar se përfundimi i bllokadës institucionale i krijon Kosovës mundësi të reja për t’iu rikthyer me energji agjendës evropiane. Diplomati gjerman ka përsëritur se Berlini dëshiron ta shohë Kosovën si partnere të ardhshme në Evropë dhe në Bashkimin Evropian, duke theksuar se kjo qasje e Gjermanisë nuk ka ndryshuar. Sipas tij, rruga drejt integrimit nuk do të jetë e lehtë dhe do të kërkojë vendime të vështira, reforma dhe debate të brendshme. Megjithatë, ai ka pranuar se ekziston një padurim i kuptueshëm në Kosovë për shkak të kohëzgjatjes së këtij procesi. Rudolph ka argumentuar se integrimi evropian është bërë edhe më i rëndësishëm përballë ndryshimeve të mëdha në sigurinë e kontinentit. Ai ka përmendur luftën në Ukrainë dhe kërcënimet hibride me të cilat po përballen shtetet evropiane. Në këtë kontekst, ambasadori gjerman e ka cilësuar Kosovën si një shtet që mund të jetë jo vetëm përfituese e sigurisë evropiane, por edhe kontribuuese në të. Ai ka vlerësuar zhvillimin demokratik të Kosovës, shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e komuniteteve joshumicë, ndërsa veçanërisht ka përmendur të rinjtë kosovarë, të cilët, sipas tij, e shohin të ardhmen e tyre në Evropë.

Kontrolloni gjithashtu

“Vallja e Osman Takës” futet në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale

 “Vallja e Osman Takës”, një nga shprehjet më të njohura të traditës shqiptare, tashmë është …