Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, ka reaguar pas raportimeve për emërimet në kabinetin e presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, të cilat janë lidhur me persona që mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje. Pa iu referuar emërimeve konkrete, Jashari ka shprehur besimin e saj në integritetin e presidentes, duke vlerësuar përvojën dhe angazhimin e saj ndër vite. Deputetja e PDK-së ka theksuar se vlerësimi për Shiroka-Pulën nuk është mbështetur vetëm në përkatësinë e saj të mëparshme politike, por edhe në cilësitë personale dhe aftësinë për ta përfaqësuar vendin. “Ajo është një grua me përvojë dhe përkushtim të dëshmuar ndër vite. Ka qenë pjesë e PDK-së si deputete dhe ministre, por vlerësimi ynë nuk u mbështet vetëm në përkatësinë e saj politike. Mbi të gjitha, kemi besuar dhe vazhdojmë të besojmë në integritetin e saj, në vlerat e saj personale dhe në aftësinë për ta përfaqësuar vendin me dinjitet”, ka shkruar Jashari. Ajo ka vlerësuar se Shiroka-Pula përfaqëson një mundësi të mirë për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e interesit shtetëror përtej dallimeve partiake. “Sepse në momente vendimtare, shteti duhet të jetë mbi interesat partiake”, ka përfunduar deputetja.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
