Xhevat Hasani: LETËR ÇLIRIM HAZIRIT, DJALIT TË PATRIOTIT TË MADH, XHAVIT HAZIRIT

I dashur Çlirim! Nuk po ta drejtoj këtë letër nga pozita e ndonjë patrioti apo politikani të madh, por nga pozita ime si njeri i vogël, i thjeshtë dhe i sinqertë. Shkak për të ta shkruar këtë letër je ti vetë. Ishte angazhimi yt për mirëorganizimin dhe mirëorientimin e protestave të rinisë shqiptare, për më shumë se njëzet net me radhë në Sheshin Skënderbej në Prishtinë, kundër aktvendimit të padrejtë të Gjykatës Speciale të Hagës, ai që më shtyu të ta shkruaj këtë letër. Të përgëzoj për veprimet e tua dinjitoze gjatë protestave kundër aktvendimit makabër të Gjykatës së Hagës; për thirrjet e tua sa frymëzuese, aq edhe udhërrëfyese në Sheshin Skënderbej, ku ti gjakun e babait tënd, patriotit të madh Xhavit Haziri, ia fale rinisë së Kosovës dhe vetë Kosovës. Të përgëzoj edhe për qëndrimin tënd jashtëpartiak (pa anësi partiake) ndaj protestave dhe për thirrjen tënde lapidare drejtuar masës së protestuesve, që të mos ushtronin dhunë ndaj askujt, të mos dëmtonin asnjë objekt shoqëror apo privat dhe të mos hidhnin asnjë send në drejtim të policisë, sepse, siç u shprehe ti vetë, ajo është Policia e Kosovës dhe një pjesë e pjesëtarëve të saj kishin marrë pjesë në Luftën Çlirimtare. Vetëm djemtë dhe burrat si ti, me mençurinë, guximin dhe fisnikërinë e tyre sublime, mund ta mbrojnë katërshen e UÇK-së në Hagë, vetë UÇK-në si strukturë politiko-ushtarake dhe shtetin e Kosovës, të cilin Serbia ka bërë dhe vazhdon të bëjë përgatitje të ethshme për ta ripushtuar. Të përgëzoj ty dhe shokët e tu për kontributin madhor që Kuvendi i Kosovës, në orët e vona të datës 6 tetor, ta miratonte ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Hagës dhe ta zgjidhte presidente të Kosovës zonjën Justina Shiroka-Pula, duke e bërë kësisoj Kosovën, pas tri zgjedhjeve parlamentare të kota, me qeveri legjitime, pikërisht në këto kohë kritike për Kosovën, kur Gjykata e Hagës, duke qenë, sipas meje, një komplot ruso-serb, e ka vënë në pikëpyetje karakterin çlirimtar të katër udhëheqësve të UÇK-së, karakterin çlirimtar të vetë UÇK-së dhe legjitimitetin e shtetit të Kosovës. I dashur Çlirim! Në veprimtaritë e tua në të mirë të katërshes së UÇK-së (Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit), në të mirë të vetë UÇK-së si strukturë politiko-ushtarake çlirimtare dhe në të mirë të shtetit të Kosovës, më llogarit edhe mua, sepse, ndonëse jam një 74-vjeçar, edhe unë, në mos dy gurë të mëdhenj, mund t’i hedh dy guralecë në të mirë të katërshes së UÇK-së në Hagë, në të mirë të UÇK-së dhe në të mirë të shtetit të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Grejqevci: Suksesin e fushatës ndëshkuese kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më së miri e shpjegon pastori Martin Niemöller!

Suksesin e fushatës ndëshkuese kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më së miri e shpjegon pastori …