Sot, Partia Demokratike e Kosovës shënon 27-vjetorin e themelimit. Në këtë përvjetor, anëtarja e partisë Vlora Çitaku përcolli urimet e saj për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, të cilët po gjykohen në Hagë. Në një mesazh të publikuar në Facebook, Çitaku kujtoi lidhjet e krijuara gjatë viteve të luftës dhe rrugëtimin e përbashkët politik që nga themelimi i PDK-së. “Disa lidhje farkëtohen në gjak e në vështirësi, aty ku jeta dhe vdekja ndajnë të njëjtin shteg dhe besimi te njëri-tjetri është gjithçka që ke. PDK-ja lindi para se të merrte emër: në mal, jo në zyrë; në vetëmohim, jo në privilegje. Në sakrificën për liri”, shkroi ajo. Çitaku tha se Thaçin, Veselin dhe Krasniqin i kishte njohur gjatë luftës dhe se me ta kishte punuar, mësuar e rrugëtuar që nga dita e parë e partisë. Ajo vlerësoi se treshja mbarti mbi supe përgjegjësinë e vendimeve që, sipas saj, ndikuan në fatin e Kosovës. “Kjo trashëgimi është krenaria jonë dhe përgjegjësia që na udhëheq përpara”, theksoi ajo. Përvjetori ka edhe një domethënie personale për Çitakun, pasi data e themelimit të PDK-së përkon me ditëlindjen e saj. Në mesazhin e saj, ajo shprehu mirënjohje për njerëzit që, siç tha, i dhanë kuptim përkatësisë së saj politike e kombëtare. “Festa do të jetë e plotë kur t’ju kemi të lirë mes nesh, për të vazhduar së bashku rrugën që nisëm”, shkroi Çitaku. Ajo e përmbylli urimin me një mesazh për partinë dhe mbështetësit e saj: “PDK-ja mban gjurmën tuaj. Kosova mban veprën tuaj. Ne mbajmë përgjegjësinë për ta çuar përpara. Urime, çlirimtarë! Urime, PDK! Urime të gjithë aktivistëve e mbështetësve.”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
