Hisen Berisha kërkon qartësi për nismën ndaj Dhomave të Specializuara

Ish-deputeti dhe gjenerali Hisen Berisha ka kërkuar që debati për ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës të sqarojë qartë synimin e nismës: ndryshimin e regjimit të dënimeve, kufizimin e juridiksionit apo zhbërjen e institucionit. Në një postim, Berisha tha se diskutimi pas aktgjykimit të 16 shtatorit nuk duhet të përqendrohet vetëm te kohëzgjatja e dënimeve, por edhe te statusi juridik dhe politik i Dhomave të Specializuara. Sipas propozimit të paraqitur në Kuvend nga PDK-ja, parashihet që dënimi maksimal të jetë 15 vjet burgim, që dënimet të mund të vuhet në institucionet korrektuese të Kosovës dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale. Propozimi përfshin gjithashtu ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Berisha theksoi se ndryshimi i dënimit nuk do të thotë automatikisht anulim i aktgjykimit apo i konstatimit të fajësisë. Ai bëri dallimin mes uljes së dënimit, vuajtjes së tij në Kosovë dhe faljes presidenciale, duke argumentuar se këto masa nuk janë të barasvlershme me pafajësinë. Ai ngriti pikëpyetje edhe për propozimin që disa çështje të kalojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Sipas tij, duhet të përcaktohet qartë cilat raste do të transferoheshin, në cilën fazë të procedurës dhe mbi çfarë baze juridike.  “Nëse synimi është ndryshimi i dënimit, le të thuhet se synohet ndryshimi i dënimit. Nëse synimi është kufizimi i juridiksionit, le të thuhet se synohet kufizimi i juridiksionit”, shkroi ai. Sipas Berishës, nëse synimi politik është zhbërja e Dhomave të Specializuara, kjo duhet të trajtohet si projekt më vete dhe të shoqërohet me sqarime për rrugën juridike dhe pasojat institucionale e ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Naim Qelaj

Avokati i Popullit po shqyrton kërkesën për dërgimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kushtetuese

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka bërë të ditur se institucioni që drejton po shqyrton …