Besnik Tahiri: Reforma territoriale në Shqipëri duhet të shoqërohet me decentralizim real

Deputeti i Aleancës. Besnik Tahiri thotë se riorganizimi i bashkive duhet të pasohet nga kompetenca, financim dhe kapacitete më të mëdha për pushtetin vendor. Reforma e re administrativo-territoriale në Shqipëri, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46 përmes shkrirjes së 15 njësive, duhet të shoqërohet me decentralizim real dhe masa konkrete për zbatimin e saj, ka vlerësuar deputeti Besnik Tahiri. Procesi duhet të përfshijë kompetenca të qarta, financim të parashikueshëm dhe administrata me kapacitetet e nevojshme. Tahiri vlerësoi se shqetësimet e shoqërisë civile dhe të komuniteteve lokale për humbjen e bashkive dhe të identitetit vendor duhet të trajtohen përmes konsultimeve transparente. Ai kërkoi vëmendje të veçantë për zonat rurale dhe ato të largëta, në mënyrë që riorganizimi të mos e vështirësojë qasjen e qytetarëve në shërbime. Tahiri bëri dallimin mes dekoncentrimit dhe decentralizimit, duke thënë se shumë funksione vazhdojnë të ushtrohen nga strukturat rajonale të qeverisë qendrore. Decentralizimi real, sipas tij, kërkon transferimin ligjor dhe financiar të vendimmarrjes te kryetarët dhe këshillat bashkiakë, duke u dhënë autonomi për planifikimin urban, menaxhimin e territorit dhe zhvillimin ekonomik lokal.  “Suksesi i reformës territoriale nuk mund të matet thjesht me numrin dhe madhësinë e bashkive, por mbi të gjitha me aftësinë e tyre për të vendosur e për të vepruar në mënyrë autonome, me llogaridhënien e institucioneve lokale dhe me shërbimet më të mira e më të qasshme që përjetojnë vetë qytetarët”, ka thënë Tahiri.

Kontrolloni gjithashtu

Naim Qelaj

Avokati i Popullit po shqyrton kërkesën për dërgimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kushtetuese

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka bërë të ditur se institucioni që drejton po shqyrton …