Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Menduh Thaçi, ka deklaruar se në nëntor pritet të bëhet publik verdikti i plotë i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke pretenduar se dokumenti do të përmbajë më shumë se 2 mijë faqe. Duke komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri, Thaçi ka vlerësuar se situata aktuale nuk do të marrë fund shpejt, ndërsa procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e ka interpretuar si një proces të ndikuar nga dëshmitë e personave që kanë bashkëpunuar me Prokurorinë. “Aty kush ka dëshmu ose kush ka spiunuar e ka emrin me të zeza, por ama ne që jemi pjesë e historisë, e dimë në cilin korridor, në cilët shkallë dhe në cilën anë ka qenë aty”, ka deklaruar ai. Menduh Thaçi ka pretenduar gjithashtu se disa persona, të cilët për vite me radhë janë paraqitur si figura të rëndësishme të luftës, kanë dëshmuar kundër njëri-tjetrit, duke e lidhur këtë me përpjekje për eliminimin politik të Hashim Thaçit. Ai ka përmendur edhe interpretimet politike që e lidhin procesin gjyqësor me qëndrimet e ish-presidentit kosovar për çështjen e ndarjes së Kosovës, duke paralajmëruar se tensionet mund të vazhdojnë. Deklaratat e tij vijnë në një periudhë të debatit të shtuar publik për procesin gjyqësor në Hagë, reagimet politike dhe protestat në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Ndërkohë, në Kosovë është miratuar një nismë ligjore që lidhet me ndryshimet në kuadrin juridik të Gjykatës Speciale, e cila, sipas informacionit të dhënë, mori mbështetjen e deputetëve të PDK-së, AAK-së dhe VV-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
