Kosova po përballet me rritje të vazhdueshme të çmimeve, duke shtuar presionin mbi buxhetet familjare dhe fuqinë blerëse të qytetarëve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në shtator 2026 u rritën për 7.8 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ndërkohë, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që inflacioni mesatar në Kosovë gjatë vitit 2026 të arrijë në 6.8 për qind. Shtrenjtimi i produkteve dhe shërbimeve po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, të cilët përballen me shpenzime më të larta për ushqim, transport, energji dhe nevoja të tjera bazë. Sipas të dhënave të ASK-së, një ndër kategoritë me rritjen më të madhe të çmimeve është transporti, ku shtrenjtimi vjetor ka arritur në 23.9 për qind. Rritje të ndjeshme janë regjistruar edhe te banimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse, me 11.9 për qind. Ndërkaq, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur për 2.4 për qind, krahasuar me shtatorin e vitit 2025. Kjo situatë ka ngritur shqetësime në komunitetin e biznesit dhe te përfaqësuesit e konsumatorëve, të cilët kërkojnë masa më efektive për të frenuar abuzimet e mundshme në treg dhe për të mbrojtur qytetarët nga shtrenjtimet e pajustifikuara. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka theksuar rëndësinë e politikave të qëndrueshme ekonomike dhe të një tregu konkurrues, si mënyra për të përballuar presionet inflacioniste. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e konsumatorëve kanë kërkuar kontroll më të madh institucional mbi tregun, duke vlerësuar se mungesa e mbikëqyrjes së mjaftueshme mund ta rëndojë edhe më shumë gjendjen ekonomike të familjeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
