Ramush Haradinaj akuzon Kurtin dhe Sveçlën për urdhër politik ndaj protestuesve në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se kanë dhënë urdhër politik për ndërhyrjen e Policisë ndaj protestuesve më 5 tetor, të cilët po kërkonin drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Haradinaj ka thënë se ndërhyrja e Policisë ndodhi një natë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar veprimin si të motivuar politikisht. “Priti deri një natë para skadimit të afatit dhe dha urdhër politik policisë për të ndërhyrë, me iu tregu ligjin. E kujt po ia tregon ligjin, atyre që po lypin ligj”, ka deklaruar Haradinaj. Ai ka theksuar se protestuesit, sipas tij, ishin mbledhur për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, ndërsa ka kritikuar mënyrën se si u trajtuan nga organet e rendit. “Policia duhet ta bëjë një dallim mes qeverisjes dhe sundimit. Vërtetë duhet të sundojë rendi e ligji, por nuk duhet të sundojë politika kundërligjshëm, përmes mekanizmave të rendit e ligjit”, është shprehur ai.  “Sundimtari i detyroi ata njerëz me plagë e vuajtje e trauma, për tri javë ditë me i ardhë para zyrës, në vend me ua dhënë ligjin, u dha gaz lotsjellës e dajak”, ka deklaruar Haradinaj. Protesta e 5 tetorit, e mbajtur në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, u përshkallëzua pranë objektit të Kuvendit të Kosovës. Gjatë zhvillimeve u hodhën mjete piroteknike, ndërsa Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Kontrolloni gjithashtu

Një muaj nga dënimi i krerëve të UÇK-së, reagimet dhe përpjekjet institucionale vazhdojnë

Ka kaluar një muaj nga shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë nga Gjykata Speciale …