Përparim Rama paralajmëron rrezikun për Lojërat Mesdhetare: ICMG cakton takim më 19 dhjetor

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare ka caktuar një takim për 19 dhjetor, ku pritet të diskutohen hapat e mëtejmë lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë. Rama ka përsëritur shqetësimin për rrezikun e dështimit të organizimit të këtij aktiviteti ndërkombëtar. Ai ka treguar se më 15 tetor kanë pranuar një email nga ICMG-ja, të cilin, sipas tij, e kanë bërë publik dhe në të cilin evidentohen probleme në komunikim dhe në përmbushjen e obligimeve nga institucionet e Kosovës. “Tash e kemi edhe një datë të re, 19 dhjetori, ku ICMG thërret edhe një takim ku vendoset se çka bëhet më tutje”, ka deklaruar Rama. Kryetari i Prishtinës ka thënë se i janë përgjigjur menjëherë komunikimit të pranuar, duke theksuar se çështja nuk duhet trajtuar si një problem i zakonshëm administrativ, por si një përgjegjësi me rëndësi ndërkombëtare për vendin. “Është çështje serioze, nuk është hajgare. Nuk është çështje që është në duart e nivelit qendror apo nivelit lokal, por është çështje ndërkombëtare, çështje e Lojërave Mesdhetare, ku Kosova, Prishtina për herë të parë, ndoshta të vetmen, ka mundësi me prezantu vetën globalisht si një nikoqir i mirëfilltë i lojërave mediterane”, ka thënë ai.  “Kjo po neglizhohet, po shihet qartë prej emailit të ICMG-së.  Takimi i 19 dhjetorit pritet të jetë një moment i rëndësishëm për diskutimin e hapave të ardhshëm lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë. Ndërkohë, pretendimet e Ramës për mungesë komunikimi nga Qeveria janë qëndrimi i tij, i paraqitur në emisionin televiziv.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata Speciale në Hagë pranon prova për raportet UÇK–FARK dhe aktivitetet e Jakup Krasniqit në LDK

Gjykata Speciale në Hagë ka bërë publike një vendim të tetorit 2025, përmes të cilit …