Ariana Musliu-Shoshi godet Konjufcën për fjalimin në OKB: Zëri i Kosovës për Hagën ishte i zbehtë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar ashpër paraqitjen e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke e cilësuar të pamjaftueshme qasjen e tij ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një reagim publik, Musliu-Shoshi ka vlerësuar se Konjufca nuk e kundërshtoi me forcën e duhur vendimin e Hagës, por u mjaftua me konstatimin se aktgjykimi përmban gabime faktike dhe përmbajtjesore. Ajo ka kritikuar gjithashtu mungesën e përmendjes së kontributit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në çlirimin, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. “Asnjë fjalë për rolin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimi në çlirimin, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës! Dhe këtë qasje e dëgjuam pikërisht nga njeriu që është caktuar ta udhëheqë strategjinë shtetërore për Hagën! Nëse në Këshillin e Sigurimit nuk artikulohet fuqishëm kundërshtimi ndaj këtij aktgjykimi, ku dhe kur do të artikulohet?”, ka shkruar Musliu-Shoshi. Sipas deputetes së PDK-së, kundërshtimi i asaj që ajo e cilëson padrejtësi nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e deklaratave diplomatike formale, por kërkon qëndrim të qartë dhe përfaqësim më të fuqishëm të interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Pse të rinjtë në Evropë protestojnë, ndërsa në Zvicër pakënaqësitë shprehen ndryshe?

Ndërsa mijëra të rinj në disa vende evropiane po protestojnë kundër kostos së lartë të …