Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u ka bërë thirrje gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë reformat dhe të mos heqin dorë nga synimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në hapje të samitit të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Shën Stefan të Malit të Zi, Merz theksoi se protestat e fundit në disa vende të rajonit dëshmojnë rëndësinë e vazhdimit të procesit të zgjerimit të BE-së. Ai siguroi vendet e rajonit për mbështetjen e Gjermanisë në rrugën drejt integrimit evropian, duke kërkuar njëkohësisht pajtim dhe heqje dorë nga dhuna. Vëmendje të veçantë Merz i kushtoi dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se të dyja palët duhet t’i zgjidhin urgjentisht mosmarrëveshjet në mënyrë që të përparojnë drejt anëtarësimit në BE. Sipas tij, vendet që zbatojnë reformat e nevojshme nuk duhet të mbeten peng i konflikteve të së kaluarës, përfshirë ato që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë gjatë viteve ’90. Në procesin e integrimit evropian janë të përfshira Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Samiti zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, të nisur më 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, me synimin për të afruar vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Creator: Steffen Prößdorf
|
Credit: Steffen Prößdorf
Copyright: Steffen Prößdorf
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
