Adem Grabovci: Çlirimtarët nuk janë monedhë për pazare politike

Adem Grabovci ka kërkuar llogaridhënie publike për vendimin e kthimit në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke kërkuar nga drejtuesit përgjegjës të sqarojnë kush e propozoi këtë veprim dhe cilat janë arsyet juridike që qëndrojnë pas tij. Ai ka theksuar se qytetarët kanë të drejtë të dinë pse ata që dje kërkonin votimin e ligjit, sot mbështesin kthimin e tij për rishqyrtim. “Përgjegjësia ka emër. Vendimet kanë autorë. Dhe qytetarët kanë të drejtë t’i dinë të dyja!”, ka shkruar Grabovci. Duke kritikuar atë që e konsideron lojë politike me çështjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai ka paralajmëruar se qëndrimet politike nuk mund të ndryshojnë pa dhënë llogari para qytetarëve. “Çlirimtarët nuk janë monedhë për kusure e pazare politike!”, ka theksuar ai. Grabovci ka kërkuar që drejtuesit përgjegjës të bëjnë publike arsyet e kthimit të ligjit, duke shtuar se askush nuk ka monopol mbi Partinë Demokratike të Kosovës. Ai ka rikujtuar se qëllimi i nismës ligjore duhet të jetë kontributi për drejtësi dhe adresimi i asaj që e cilëson padrejtësi historike ndaj çlirimtarëve, pas aktgjykimit të 16 shtatorit. Në fund, Grabovci ka lënë të kuptohet se pakënaqësia mund të shprehet edhe në rrugë, duke paralajmëruar se llogaridhënia publike nuk mund të shmanget përmes manovrave politike. “Sheshi nuk është larg”, ka përfunduar ai.

Kontrolloni gjithashtu

De Groot ka bërë thirrje për shfrytëzimin e mekanizmave ligjorë

Qëndrimi i Kryetares së Gjykatës Supreme të Holandës, Dineke de Groot nuk përbën vlerësim për …