Gjatë vizitës sime në Strasburg, së bashku me veprimtarët tanë, Fadil Dekaj, Demë (Sokol) Mehmetaj dhe Leonis Prushi, patëm kënaqësinë të pritemi në Konsullatën e Republikës së Kosovës nga Ambasadori Fitor Murati dhe kolegu i tij, Ilir Selmani.
Në një atmosferë të përzemërt, zhvilluam një bashkëbisedim për çështje të ndryshme me interes kombëtar, me theks të veçantë në ruajtjen e kujtesës historike, dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë dhe përcjelljen e së vërtetës te brezat e ardhshëm dhe opinioni ndërkombëtar.
Me këtë rast, në cilësinë e autorit, pata nderin t’i dhuroja Ambasadorit Murati ekzemplarë të librit tim „Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit“, të botuar në disa gjuhë. Një vend të veçantë zë botimi në gjuhën frënge, realizimi i të cilit u mundësua falë mbështetjes së bashkatdhetarëve tanë në Strasburg: Kushtrim Nimonaj, Demë Mehmetaj, Bajrush Stokaj dhe Fadil Dekaj, të cilëve u shpreh mirënjohjen time të sinqertë.
Gjatë takimit diskutuam edhe mundësinë e organizimit të një promovimi të librit në Strasburg në të ardhmen. Ambasadori Fitor Murati shprehu gatishmërinë për t’i shqyrtuar mundësitë e realizimit të këtij aktiviteti, i cili do të kontribuonte në prezantimin e dokumentimit të krimeve të luftës në Deçan dhe në njohjen e mëtejshme të së vërtetës për Kosovën.
Si autor, jam thellësisht mirënjohës për pritjen, respektin dhe bashkëbisedimin e frytshëm.
Falënderoj përzemërsisht Ambasadorin Fitor Murati për mikpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, si dhe Ilir Selmanin për pritjen dhe komunikimin e përzemërt.
Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona diplomatike, veprimtarëve në mërgatë dhe autorëve që dokumentojnë historinë tonë është një kontribut i rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës kombëtare dhe në afirmimin e së vërtetës për Kosovën.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
