Asociacioni i Komunave të Kosovës, në bashkëpunim me GIZ Kosovo4Green, organizoi një vizitë studimore në Lubjanë dhe Kranj, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kolegjiumit për Planifikim dhe Urbanizëm, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Institutit për Planifikim Hapësinor të Kosovës.
Gjatë këtij udhëtimi, delegacioni ynë u njoh nga afër me praktikat më të mira sllovene përmes takimeve në institucione kyçe:
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Sllovenisë – ku u diskutua korniza ligjore, Strategjia e Zhvillimit Hapësinor 2050 dhe Sistemi i Informacionit Hapësinor (PIS).
Komuna e Qytetit të Lubjanës – me fokus në tranzicionin drejt neutralitetit klimatik (Misioni i BE-së: 100 Qytete Klimatikisht Neutrale) dhe projektet e bazuara në natyrë (NbS).
Instituti Urban i Republikës së Sllovenisë (UIRS) & Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Gjeodezisë – ku u shqyrtuan qasjet praktike për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe rëndësia e të dhënave gjeodezike.
Komuna e Kranjit & Agjencia Rajonale e Zhvillimit të Gorenjska-s – ku u prezantuan shembuj të shërbimeve ndërkomunale dhe projekte të suksesshme për biodiversitetin urban.
Kjo vizitë studimore u vlerësua lart dhe u konsiderua mjaft produktive nga të gjithë pjesëmarrësit.