Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt. Hoxha ka vlerësuar se të dy ministrat mbajnë përgjegjësi politike për dështimet e institucioneve që kanë për detyrë mbrojtjen e qytetarëve. Sipas saj, zinxhiri institucional i mbrojtjes së Arlinda Zekajt ka dështuar, ndërsa ministrat përkatës nuk mund ta shmangin përgjegjësinë për institucionet që drejtojnë. Hoxha ka kritikuar veçanërisht qëndrimin e Donika Gërvallës, duke thënë se ajo po ua bart përgjegjësinë të tjerëve, pa reflektuar për përgjegjësinë e saj politike. Ajo ka theksuar se dorëheqja nuk duhet të konsiderohet akt dobësie, por përgjegjësi morale ndaj qytetarëve që u kanë besuar përmes votës. Deputetja e PDK-së ka kërkuar që, nëse Gërvalla dhe Sveçla nuk japin vetë dorëheqje, kryeministri Albin Kurti të ndërmarrë hapa për shkarkimin e tyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
