Babai dyshohet për vrasjen e djalit dhe mbesës foshnjë, Gjykata cakton një muaj paraburgim

Detaje të rënda janë bërë publike nga dosja e Prokurorisë Themelore në Gjilan lidhur me vrasjen e dyfishtë në fshatin Demiraj, ku humbën jetën Adonis Demiri dhe foshnja e tij. Sipas dosjes së siguruar nga Dukagjini, Braim Demiri dyshohet se më 1 nëntor 2026, pas një konflikti fizik me djalin e tij, Adonisin, e ka privuar atë nga jeta, duke e goditur me grushte dhe me një mjet të fortë, ndërsa më pas dyshohet se i ka vendosur një litar rreth qafës. Në të njëjtën dosje përshkruhet edhe gjetja e foshnjës pa shenja jete, në shtratin e babait të saj, me shenja dhune dhe njolla gjaku në hapësirën ku ishte gjetur. Prokuroria thekson se rrethanat dhe mënyra e saktë e vdekjes së të dy viktimave ende nuk janë përcaktuar. Sipas saj, ekzistojnë kundërthënie ndërmjet deklaratave të të pandehurve dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat janë siguruar nga një pajisje DVR e sekuestruar gjatë hetimeve. Në këtë rast, përveç Braim Demirit, e pandehur është edhe bashkëshortja e tij, H. Demiri, e dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë. Ndërkohë, hetimet janë ende në fazën fillestare. Prokuroria është në pritje të rezultateve të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, si dhe të ekspertizave biologjike, të litarit dhe pajisjeve elektronike të sekuestruara. Gjatë hetimeve, në shtëpi është gjetur edhe një armë gjuetie me leje të skaduar, ndërsa Braim Demiri dyshohet edhe për mbajtje, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar atij një muaj paraburgim.

Kontrolloni gjithashtu

Ardian Gjini: Paralajmërimi për aflatoksinat u dëshmua i saktë, Qeveria neglizhoi sigurinë ushqimore

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas konfirmimit zyrtar të …