Fatmir Limaj nis takimet nëpër qytetet e Kosovës: Aktgjykimi i 16 shtatorit ka prekur dinjitetin e luftës së UÇK-së

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka nisur në Kaçanik dhe Ferizaj ciklin e takimeve me strukturat e partisë, bashkëpunëtorë, aktivistë dhe qytetarë, në kuadër të temës “Kosova pas aktgjykimit të 16 shtatorit”. Gjatë këtyre takimeve, sipas Limajt, është diskutuar për gjendjen aktuale politike dhe sfidat me të cilat po përballet vendi, duke përfshirë mbrojtjen e dinjitetit të luftës së UÇK-së, Ligjin për Dhomat e Specializuara, gjendjen ekonomike, sigurinë dhe përkeqësimin e gjendjes sociale. Limaj ka bërë të ditur se qytetarët kanë shprehur shqetësim dhe zhgënjim për mënyrën e trajtimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe kthimin e tij në Kuvend, duke kërkuar qartësi dhe përgjegjësi institucionale. Ai ka vlerësuar se aktgjykimi i 16 shtatorit në Hagë nuk duhet parë vetëm si çështje e individëve që po gjykohen, pasi, sipas tij, pasojat e tij shtrihen përtej tyre dhe prekin dinjitetin e luftës çlirimtare dhe ndjenjën e drejtësisë te qytetarët. “Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri dhe këtë të vërtetë nuk mund ta lëkundë asnjë aktgjykim”, ka theksuar Limaj. Ai ka paralajmëruar se takimet do të vazhdojnë në të gjitha qytetet e Kosovës, me qëllim të dëgjimit të drejtpërdrejtë të shqetësimeve dhe kërkesave të qytetarëve. Limaj ka kërkuar më shumë përgjegjësi, vendosmëri dhe veprim nga institucionet e vendit përballë sfidave politike, ekonomike dhe shoqërore.

Kontrolloni gjithashtu

Ardian Gjini: Paralajmërimi për aflatoksinat u dëshmua i saktë, Qeveria neglizhoi sigurinë ushqimore

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas konfirmimit zyrtar të …