Komisioni Evropian, në Raportin për Kosovën për vitin 2026, vlerëson se vendi nuk ka shënuar progres në funksionimin e gjyqësorit, ndërsa ndikimi i interesave politike dhe ekonomike vazhdon të jetë pengesë serioze për pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë. Në raportin e publikuar më 4 nëntor, Komisioni Evropian konstaton se ndikimi i papërshtatshëm, si nga brenda sistemit të drejtësisë, ashtu edhe nga faktorë të jashtëm, jo vetëm që vazhdon të cenojë pavarësinë e gjyqësorit, por në disa aspekte është intensifikuar. Sipas vlerësimit të KE-së, Kosova mbetet ndërmjet fazës së hershme dhe një niveli të caktuar të përgatitjes për zbatimin e legjislacionit dhe standardeve evropiane në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore. Një nga problemet e evidentuara është mosmiratimi i pakos së projektligjeve për sistemin e drejtësisë, gjë që, sipas Komisionit, ka penguar zbatimin e reformave dhe ka ndikuar në forcimin e pamjaftueshëm të llogaridhënies dhe efikasitetit në gjykata dhe prokurori. Raporti trajton në mënyrë të veçantë edhe zhvillimet lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Komisioni shpreh shqetësime serioze për ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi më 6 tetor 2026, të cilat presidentja ia ktheu Kuvendit për rishqyrtim më 22 tetor. Sipas KE-së, këto ndryshime mund të bien ndesh me zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe parimet themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht sa i përket pavarësisë së gjyqësorit, mbrojtjes së viktimave dhe dëshmitarëve, të drejtave procedurale dhe llogaridhënies për krimet e luftës. Kritika janë adresuar edhe për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Komisioni vlerëson se vështirësitë në zbatimin e tyre dëshmojnë për mangësi në llogaridhënie dhe përkushtim ndaj reformave, ndërsa ngre shqetësime edhe për fletarrestimet e lëshuara në mënyrë retroaktive dhe zbatimin e masave përkatëse mbrojtëse.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
