Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën për vitin 2026, në kuadër të Paketës Vjetore të Zgjerimit, duke paraqitur vlerësimin për zhvillimet politike, ekonomike dhe institucionale, si dhe për përmbushjen e reformave në rrugën drejt integrimit evropian. Raporti është pjesë e vlerësimit vjetor të vendeve që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe përmban rekomandime për institucionet e Kosovës lidhur me hapat që duhet të ndërmerren në periudhën e ardhshme. Paketën e Zgjerimit për vitin 2026 para Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) e prezanton komisionarja për Zgjerim, Marta Kos. Vëmendje të veçantë në raportin për Kosovën zënë funksionimi i institucioneve demokratike, sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Në vlerësimin për sistemin e drejtësisë, Komisioni Evropian konstaton mungesë progresi, duke paralajmëruar se ndikimi i interesave politike dhe ekonomike vazhdon të pengojë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit. Raporti trajton gjithashtu ngecjet në reformat ligjore, funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe zhvillimet lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pas publikimit të dokumenteve, raportuesit e Parlamentit Evropian pritet të hartojnë projektrezoluta të veçanta për vendet e përfshira në Paketën e Zgjerimit, përmes të cilave do të paraqesin qëndrimet dhe rekomandimet e tyre për procesin e integrimit evropian.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
