Presidentja Justina Shiroka-Pula pranon Raportin e Progresit nga ambasadori Schuebel

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026 nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, gjatë një takimi të zhvilluar në Presidencë. Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit Shiroka-Pula ka riafirmuar orientimin evropian të Kosovës dhe përkushtimin e institucioneve për avancimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara për integrim në Bashkimin Evropian. “Ajo theksoi se Kosova është vend proevropian dhe se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i Republikës së Kosovës dhe se institucionet e vendit janë të përkushtuara për avancimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit, funksionimin demokratik të institucioneve dhe përmbushjen e standardeve evropiane”, thuhet në komunikatën e Presidencës. Në të njëjtin njoftim bëhet e ditur se ambasadori Schuebel e ka përgëzuar presidenten për qasjen e saj konstruktive dhe përpjekjet për të kontribuar në frymën e bashkëpunimit dhe unitetit në skenën politike të Kosovës. Ndërkaq, Shiroka-Pula ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me BE-në në avancimin e agjendës evropiane. Dorëzimi i raportit vjen në një periudhë kur institucionet e Kosovës përballen me kërkesa për përshpejtimin e reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, funksionimin institucional dhe luftën kundër korrupsionit, fusha këto që mbeten pjesë e rëndësishme e vlerësimit evropian për vendin.

Kontrolloni gjithashtu

Riho Terras: Bllokada politike i kushtoi Kosovës një vit e gjysmë të humbur në reforma

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka deklaruar se bllokada politike dhe institucionale …