Eric Wendt prezanton prioritetet e tij si ambasador amerikan në Shqipëri: Mbrojtja, ekonomia dhe lufta kundër krimit

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka prezantuar tri fushat kryesore ku synon të përqendrojë bashkëpunimin ndërmjet Uashingtonit dhe Tiranës: forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe luftën kundër krimit transnacional. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Wendt ka falënderuar presidentin amerikan, Donald Trump, dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, për besimin e dhënë, ndërsa mirënjohje të veçantë ka shprehur edhe për popullin shqiptar, për mikpritjen që i ka rezervuar Shteteve të Bashkuara. Duke folur për përvojën e tij në Shqipëri, ambasadori i ri i ka cilësuar shqiptarët si një popull jashtëzakonisht mikpritës, punëtor dhe krenar. Ai ka theksuar se gjatë shërbimit ushtarak dhe udhëtimeve në vend ka pasur mundësi të takohet me qytetarë të shumtë dhe të krijojë përshtypje të drejtpërdrejta për shoqërinë shqiptare. Në mesin e prioriteteve të tij, Wendt ka renditur forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe përmbushjen e përgjegjësive të përbashkëta si aleatë, rritjen e tregtisë dhe investimeve, krijimin e mundësive të reja ekonomike, si dhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit transnacional dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta. “Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ndajnë një histori të fuqishme, miqësi dhe respekt të thellë të ndërsjellë”, ka deklaruar ai.

Kontrolloni gjithashtu

Ardian Gjini kundërshton kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend: Kurti rrezikon të bëjë një gabim të madh politik

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kundërshtuar kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvendin e …